Forcat Detare kthehen nga misioni në detin Egje
21 efektivë të Forcave Detare që ishin pjesë e operacionit të NATO-s në brigjet e Greqisë dhe Turqisë janë rikthyer në Shqipëri. Operacioni, i gjatë dy muaj, u realizua nga NATO në kuadër të ruajtjes dhe evidentimit të emigrantëve që tentojnë futjen në Europë, por edhe për shpëtimin e jetëve të tyre në rast të evidentimit të situatave problematike. Forcat Detare shqiptare janë pjesë e këtij misioni me anijen “Oriku”, ndërkohë që pjesë e tij janë plot 7 anije ushtarake të NATO-s. Në pritjen e 21 efektivëve në bazën e Pashalimanit ka qenë i pranishëm edhe zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, si dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura të vendit. Kapiteni i rangut të tretë, Ilir Çobo ka deklaruar se operacioni në fjalë, i koduar me emrin “Seegardian”, ka patur një rëndësi të veçantë dhe kjo pjesë e tij u zhvillua me sukses. Aktualisht në detin Egje, në vijim të misionit ndodhen 21 efektivë të tjerë, si kontigjenti i dytë i forcave shqiptare në operacionin e përbashkët të forcave të NATO-s.