Vllaznia do të tentojë përmbysjen mbrëmjen e sotme ndaj Linfield. Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë, kuqebluve u duhet një fitore 3-0 për t’u kualifikuar në turin e dytë të Conference League. Nëse ndeshja mbyllet 2-0 për shkodranët brenda kohës së rregullt, atëherë do të kemi shtesë dy herë nga 15-minuta. Ndërkohë, në stërvitjet e ditëve, të fundit, trajneri Migen Memelli ka lënë të kuptohet se do të bëjë ndryshime në formacion, por edhe në skemë, në krahasim me skuadrën që luajti nga minuta e parë në Irlandën e Veriut.

Kështu, trajneri i Vllaznisë ka hequr dorë nga skema me tre mbrojtës, por sërish do t’u besojë futbollistëve që luajtën në prapavijë në ndeshjen e parë në Belfast. Nga 3-4-3, skema e kuqebluve në ndeshjen e sotme pritet të jetë 4-2-3-1.

Kështu, në portë do të jetë Qarri. Në krahun e djathtë të mbrojtjes do të ketë ndryshime, aty ku do të luajë Smajli, ndërsa Dragoshi pas ndeshjes së dobët në Irlandën e Veriut do të ulet në stol. Dyshja e qendrës së mbrojtjes do të përbëhet nga Stojanoviç dhe Juriç. Në krahun e majtë si zakonisht do të luajë kapiteni Hakaj.

Risia e formacionit ndaj Linfield është Cheshmedjiev i cili nga qendër mbrojtës do të kalojë në rolin e një mesfushori shkatërrues. Maqedonasi do të jetë si kontrollor para mbrojtjes, krahas Boshnjakut. Ndërkohë, Memelli do të ulë në stol Alivodën, për të vendosur në mesfushë Malën si një fantazist.

Në treshen e sulmit do të luajnë Gruda nga e djathta, Çoba nga e majta, ndërsa në krye Balaj. Ky pritet të jetë formacioni i Vllaznisë së Migen Memellit për ndeshjen e sotme në “Loro Boriçi” përballë irlandezo-veriorëve të Linfield.

Kuqeblutë do të tentojnë përmbysjen me një fitore 3-0 për t’u kualifikuar në turin e dytë por mund të mjaftohen edhe me një 2-0 për ta çuar në shtesë sfidën. Megjithatë nuk do të jetë aspak e lehtë për ta realizuar një diçka të tillë.

Artikulli paraprakOPOZITA BLLOKOI FOLTOREN/ DEBATE TË FORTA MES OPOZITËS E MAXHORANCËS, NDËRPRITET SEANCA
Artikulli tjetërAKADEMIA VLLAZNIA 4 MUAJ PA RROGA