Këtë të shtunë, do të rikthehet Superiorja dhe Vllaznia e nis në shtëpi, ku do të presë Kukësin, në sfidën që do të startojë në ora 20:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në pamje të parë duket një sfidë e lehtë, ngaqë Kukësi ka kaluar shumë probleme gjatë gjithë verës. Megjithatë, në kampin shkodran padyshim që do të bëjnë çmos për ta nisur me fitore kampionatin e ri. Ditët e fundit, stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Migen Memelli, është hasur me dy probleme dëmtimesh. Kështu, Esin Hakaj do ta nisë nga stoli, sepse ende nuk është plotësisht gati, ndërsa Ardit Krymi do të mungojë për tre javë po për arsye dëmtimi. Pikërisht, mungesa e Krymit në përballjen e parë të këtij sezoni pritet që të sjellë edhe një ndryshim në formatimin e ekipit jo vetëm në emra kokë më kokë, por edhe në krijimin e një skuadre më sulmuese. Ajo që deklaroi trajneri Memelli në konferencën për mediat lë të kuptohet se në këtë përballje do të kërkohet më shumë fantazi dhe lojë sulmuese, sesa shkatërruese. Në këto rrethana, trajneri Memelli dhe stafi i tij kanë bërë edhe ndryshimet në formacion. Gjasat janë që të luhet me skemën 4-2-3-1 dhe nisur nga kjo, në portë do të jetë Qarri. Mbrojtja pritet që t’i besohet katërshes Smajli, Stojanoviç, Juriç dhe Asani. Në mesin e fushës pritet që dyshja e qendrës të jetë Cheshmedjiev dhe Boshnjaku, ndërsa para tyre pritet që nga minuta e parë ta nisë Mala. Ndërkohë, në sulm përkrah kapitenit Balaj që do të jetë në majë të këtij reparti, pritet që të luajnë Gruda nga e djathta dhe Dodev nga e majta. Ky pritet të jetë formacioni që trajneri Migen Memelli do të hedhë në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Kukësit. Në fakt, pavarësisht skemës apo formacionit që do të përdoret, një gjë është e qartë që Vllaznia do të tentojë ta fitojë me çdo kusht këtë ndeshje për t’i bërë në këtë mënyrë një nisje të mbarë kampionatit të ri.

Artikulli paraprakAKSION KUNDËR MARRJES SË INTERTEVE NË LUMIN MAT
Artikulli tjetërORGANIZOHET MISS XHUBLETA NË TUZ