Ish-presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiç, zgjodhi forumin rajonal, për të përcjell mesazhin e tij për domosdoshmërinë e një zgjidhje paqësore të konfliktit Rusi-Ukrainë. Zv/Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka takuar ish-presidentin e Kroacisë Stjepan Mesiç gjatë punimeve të forumit “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”, organizuar në Tiranë nga PL, ndërsa ka ndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e tij.

“Të jetosh në Ballkanin Perëndimor, në shumë mënyra varet nga ne. Kjo është arsyeja përse unë mund t’ju sugjeroj lirisht pjesëmarrësve të takimit të sotëm, të dërgojmë bashkërisht një mesazh shprehës nga Tirana, dhe të bëjmë thirrje për të kërkuar urgjent një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë. Askush nuk dëshiron që ai konflikt të eksportohet diku tjetër, madje as në Ballkanin Perëndimor. Nevoja për praninë dhe veprimin e bashkësisë ndërkombëtare në rajon, është ende aty. Ekziston, jo vetëm në Kosovë, por dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Edhe pse arkitektura e kufijve në rajon përfundoi me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ende një pjesë e strukturave politike ka synime për t’i ndryshuar kufijtë shtetërorë”, tha ai.

Mesiç shprehet se Europa duhet që të jetë e bashkuar.

“Duket se nuk kemi mësuar asgjë nga historia e viteve të fundit. U zhvilluan katër luftëra në territorin e ish-Jugosllavisë, dhe asnjë kufi i vetëm shtetëror nuk u zhvendos një milimetër. Kjo nuk do të ndodhë as tani. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Europa të jetë e lidhur, dhe e bashkuar me të gjithë njerëzit e saj pa dallime. Anëtarësimi në NATO dhe BE na mundëson të jetojmë në paqe, prosperitet dhe stabilitet, dhe që të gjithë mund të jetojnë në korpusin e tyre kulturor, sepse ne të gjithë do të jemi pjesë e një Europe të bashkuar, përmes anëtarësimit në BE. Përgjigja më e mirë nga të gjitha sfidat dhe kërcënimet në Ballkanin Perëndimor është perspektiva euroatlantike e vendeve rajonale”, tha ai.

Artikulli paraprakSHBA-JA DO PAGUAJË 176 MILIONË DOLLARË PËR NJË VAKSINË KUNDËR GRIPIT TË SHPENDËVE
Artikulli tjetërBERISHA: 11 KORRIKU DITA E KRYENGRITJES PAQËSORE, 2 KORRIKU I ’90 NA FRYMËZON