Viti i Ri ishte festa që e prisnin të gjithë. Në Shqipërinë e varfër të diktaturës, dukej sikur atë natë harroheshin të gjitha. Një kthim pas në kohë na sjell ndërmend mënyrën tradicionale të festimit në çdo shtëpi shqiptare. Ritualet e vogla, festat nëpër lokale dhe hotelet më të famshme të kohës. Menyja, muzika dhe çmimet. Ku festonin banorët e ish-Bllokut.
PUNË, DEZHURN E FUTBOLL
Shiritat shumëngjyrëshe prej letre, lodrat prej kauçuku, aroma e drurit të djegur që dilte nga tubi i sobave, përzier me atë të gjelit të detit të sapopjekur, janë kujtimet që na çojnë pas në kohë, në festimet e Vitit të Ri gjatë viteve të diktaturës. Sot, mund të duket një festë rutinë. Mund të festosh kur të duash e çfarë të duash, por asokohe, kjo ishte e vetmja festë që nuk lidhej me partinë dhe arsyet pse ishte e shumëpritur, ishin të shumta. Ndalimi i fesë në Shqipëri i kufizoi festat e fundvitit thjesht dhe vetëm te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri. Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e rëndë u binte amvisave, të cilave, përveçse u duhej të punonin edhe në datën 31, duhet t’i hynin gatimit për në darkë.
Dhe për to dukej se nuk kishte festë, vetëm një turravrap nëpër kuzhinë. Në ditët e fundit të vitit, një pritje e madhe organizohej në Pallatin e Brigadave nga Enver Hoxha me pionierët e dalluar, ndërsa Dita e Krishtlindjes, nuk festohej më pas ’67-ës, kur feja u ndalua. Familjet e besimeve katolike dhe ortodokse e festonin në fshehtësi, pa zhurmë e bujë, vetëm në rrethe të ngushta midis tyre. Ndërkohë, ishte punuar një të diel më parë, që kjo të zëvendësonte datën 2 janar, që ishte pushim dhe më 3, të gjithë i riktheheshin punës. Jepeshin shpërblime të vogla financiare për të dalluarit, ndërsa natën e Vitit të Ri, si dhe datat 1 e 2 janar në ndërmarrje, dikastere bëhej dezhurn çdo dy orë nga punonjës, që alternoheshin sipas një grafiku të bërë nga drejtoria. Nuk bënin dezhurn gratë e vajzat.
E veçanta e 31 dhjetorit ishte ndeshja e futbollit që zhvillohej në fushën e Pallatit të Pionierëve të tejmbushur nga njerëzit. U kthye në një traditë tërheqëse, në të cilën luanin edhe futbollistët më të njohur, të tre klubeve të kryeqytetit. Madje, takimi ndiqej edhe nga jashtë rrethimit përtej Lanës, pasi nuk kishte hapësirë për të qenë brenda territorit të vogël. Gjatë ditës së 31 dhjetorit, qyteti gumëzhinte dhe dyqanet kishin aktivitet deri në çastin e fundit dhe njerëzit që vraponin për të marrë gjërat që i mungonin. E gjithë kjo deri në orët e para të mbrëmjes, pastaj të gjithë në shtëpi dhe qyteti pushtohej nga një heshtje totale, dhe vetëm ndriçimi ishte ai që i jepte jetë, pasi gjithçka dukej si në gjumë. Për t’u gjallëruar sërish pas orës 12 të natës, kur mbushej me të rinj që mblidheshin në qendër të tij.
TVSH DHE “KONCERTI I MADH” PËR TË GJITHË
Televizorët e markave “Butrinti”, “Iliria” apo “Dajti” kanë qenë të vetmet mjete komunikuese që i ka shoqëruar shqiptarët natën e Vitit të Ri, si dhe ato në vazhdim. Të ulur në tavolina, dhe në pritje të orës 12 të natës, të gjithë ndiqnin “Koncertin e madh të Vitit të Ri” një program me këngë, valle e humor nga e gjithë Shqipëria që kishte përgatitur Televizioni Shqiptar, i cili fillonte pas Revistës Televizive të orës 20:00 dhe emisionit “Koha sot e nesër” nga i paharruari Petrit Leka e vazhdonte deri në orën 2 pas mesnate, për të vijuar me natën finale të Festivalit të Këngës në RTVSH – ritransmetim (ata që kishin kanoçet e famshme ndiqnin programet e kanaleve të huaja).
Nuk kishte fjalim përshëndetës nga udhëheqësi i shtetit në mesnatë. Të nesërmen, hapej kanali italian “Rai 1” vetëm për të ndjekur në orën 12 paradite Koncertin e Vjenës dhe në mbrëmje, sërish me TVSH-në në programin thuajse identik, si ai i një nate më parë, gjithçka brenda kornizës së lejuar. Jo në pak raste rrezikonte edhe ikja e dritave nga ngarkesa e madhe elektrike. Nata e fundvitit festohej në reparte ushtarake, konvikte etj. Natyrisht me televizor, radio, apo ndonjë magnetofon. Edhe në spitale, shtëpitë e fëmijëve jetimë, natyrisht me thjeshtësinë dhe modestinë e kohës që kishin këto institucione.
MENYJA E NJËJTË PËR TË GJITHË
Nata e Vitit të Ri ka qenë thuajse e njëjtë për të gjithë. Një pulë, ose gjel deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë, majonezë dhe bakllava ose kadaif. Raki, nëse gjeje të Skraparit apo Përmeti, ishte kënaqësi, dhe verë të markës “Riesling”, “Tokai”, apo “Shesh i zi” ose “i bardhë”, “Merlot”, “Kallmet” të cilësisë së dytë që kushtonte 42 lekë, pasi kjo ishte më e lehtë për t’u gjetur. Cilësia e parë, si ajo “Pino Nero”, kishte tjetër destinacion.
Birra ishte me shishe e Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë. Shumë të ngarkuar me punë ishin furrat. Çoje tavën dhe merrje një letër me numrin, që korrespondonte me një llamarinë metalike që furrtari e ngulte mbi pulë. Njerëzit merrnin bukë rezervë, pasi dyqani mbyllej për dy ditë. Përgatitja për natën e Vitit të Ri ishte tejet lodhëse për gratë, që gatuanin pa pushim gjatë gjithë ditës në kushtet e hapësirat e ngushta dhe aspak komode të apartamenteve të ngritura gjatë socializmit. Të privilegjuara ishin familjet që kishin siguruar limonë apo portokalle nga bregdeti, si diçka të rrallë për kohën. Në shumë raste kishte grupe të rinj, miq e shokë, që mblidheshin atë natë në shtëpinë e dikujt, për të dalë në shesh pas orës 12-të pas mesnate.
NJË FESTË NDRYSHE NË TIRANË
Tirana u ka dhënë gjithmonë tjetër ritëm pragfestave, sidomos momenteve para ndryshimit të viteve. Nata mes dy vitesh, për ata që e kujtojnë, sidomos mesvitet ’60-’70, ka qenë e veçantë. Pak çaste para se dy akrepat e sahatit të madh të bashkoheshin, qindra të rinj e të reja i gjeje në sheshin para Pallatit të Madh të Kulturës (ndërtuar në vitin 1964), duke festuar, imituar dhe kënduar këngë të njohura, kryesisht të huaja. Gjithçka spontane jo e organizuar, por e sajuar nga disa pasionantë, që banonin kryesisht në qendër të Tiranës, pasi zonat e tjera ishin pak larg dhe vështirë të vije kur mjetet e transportit në ato orë nuk kishte. Dikush vinte me pajton i veshur me kostum të zi, borsalina apo cilindra në kokë, duke imituar aktorët Zhan Mare apo Alen Delon, duke hipur te kolonat e duke uruar në frëngjisht Vitin e Ri, dikush tjetër këndonte këngë të famshme të kohës, ato të Xhoni Hollideit etj.
MODA E LOKALEVE
Në shtëpi apo në lokal, kjo ka qenë dilema e shqiptarëve për natën e ndërrimit të moteve. Preferenca për ta kaluar natën e Vitit të Ri në një vend publik me shoqëri, orkestër, muzikë e vallëzim, ka filluar para viteve ’50, për të vijuar në ato ’60, e më tej, sidomos në vitet ’80. Në shumë qytete të Shqipërisë, por veçanërisht në Tiranë, ka qenë ndryshe. Kryesisht festohej në Kursalin e famshëm në qendër, sallat gjigante të “Hotel Dajtit” apo në “Vollga” (Drini sot), të cilat, natën e Vitit të Ri mbusheshin me pushtetarë, zyrtarë të lartë, artistë e sportistë të njohur me familjet e tyre, por edhe me shumë të huaj, marinarë, studentë dhe kryesisht punonjësit e ambasadave, të cilët kanë kënduar e vallëzuar çdo lloj muzike deri në agim.
Po kështu, festohej edhe në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në selinë ngjitur me Teatrin Popullor, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Rrugën e Kavajës, ku argëtoheshin oficerët madhorë me familjet e tyre, pastaj në atë që është sot. Por edhe tek “Internacional”, apo “Donika”. Shumë i veçantë ka qenë “Vollga” apo “Adriatiku” në Durrës, ku vërshonin jo vetëm durrsakët, por edhe të huajt, kapitenë e marinarët e anijeve që i kishte zënë Viti i Ri në portin e Durrësit. Në Shkodër janë shfrytëzuar lokalet e njohura si “Kafja e Madhe”, “Turizmi i vjetër”, “Kafe Moska” apo “Adriatik”. Po kështu, edhe në qytete të tjera janë përdorur lokalet që kishin orkestër, që mund të gatuhej e me salla të mëdha.
15-KATËSHI DHE RIKTHIMI NË LOKAL ME MUZIKË E VALLËZIM TË KUFIZUAR
Ndonëse pati një frenim ky lloj argëtimi publik, sidomos në mesvitet ’70-’80, si pasojë e situatave të tensionuara politiko-ekonomike dhe jetës sociale të kufizuar, rikthimi te nata dëfryese e fundvitit në restorant erdhi natyrshëm nga dëshira për diçka më ndryshe nga ai i qëndrimit, gatimit në shtëpi ditën dhe natën e 31 dhjetorit. Ky ishte motivi që i shtyu shqiptarët të fillojnë të organizohen sërish në lokale në natën e fundit të vitit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete te tjera……
Por që të kaloje këtë natë në një lokal, konsiderohej një privilegj i madh, pasi jo të gjithë i kishin mundësitë.. Për të siguruar një tavolinë për natën e Vitit të Ri, duhej të bëjë një prenotim familjar që në ditët e para të muajit dhjetor pranë administratës së hotelit. Frekuentohej kryesisht 15-katëshi, i sapondërtuar dhe i përuruar në vitin 1979. Të gjithë vraponin fillimisht aty. Nëse nuk arrije të prenotoje, duhej nxituar te lokalet e tjera si “Vollga” (Drini), “Arbana”, “Arbëria”, apo “Rinia”, ku nata e Vitit të Ri shoqërohej me muzikë të lehtë, vallëzim dhe argëtim brenda limiteve të kohës. Orkestra (kryesisht ishte ajo e tavernës së 15- katëshit, apo të tjera të përbëra me instrumente të njohura të kryeqytetit), e dinte mirë repertorin dhe nuk kalonte asnjë cak, gjithmonë në sintoni me çfarë lejohej në programin e kontrolluar më parë, por asnjëherë muzikë e këngë kushtuar Partisë. Tre kërcime, një pauzë, sërish tre kërcime… e kështu vijohej.
ÇMIMET
Mbrëmja festive fillonte në orën 21:00. Çmimi varionte nga 600 lekë personi dhe 1200 lekë çifti te 15-katëshi, për të zbritur në 450 lekë te të tjerat me një meny me të zakonshmet, antipasta, pastaj pulë ose pilaf me gjel, bërxollë me patate, një shishe verë, birrë ose raki dhe ëmbëlsira në fund. Cigarja pihej në pafundësi, nuk kishte këngëtarë, por mund të këndonin këngëtarë që ishin në lokal me familjet e tyre. Në orën 00:00 fikeshin dritat, përplaseshin gotat dhe një puthje në faqe, pastaj dalja jashtë për të parë fishekzjarrët. Më pas, organizoheshin edhe lojëra-lotari me prezantues aktorë të njohur si Vilson Gjoncaj, me të cilat fituesit merrnin një dhuratë nga organizatorët. Qëndrimi në restorant vazhdonte thuajse deri në orët e para të mëngjesit, pasi nuk kishte kufi apo limit kohe.
PRENOTIMI I PUSHIMEVE NË POSTË ORËN 12:00
Viti i Ri fillonte me vrapin në mesnatë për në Postën Qendrore, jo për të bërë një urim, por për të nisur telegramin urgjent për në hotelet e preferuara të plazhit, siç ishin “Kruja”, “Butrinti”, apo ato në Sarandë, Pogradec. Ky veprim ndër vite ishte kthyer në ankth për tiranasit dhe sapo akrepat kalonin 12 e një minutë, një pjesëtar i familjes, përfshirë edhe ata që ishin në lokal, duhet të sakrifikonte dhe me shpejtësi nisej për në postë, ku ndërkohë ishte drejtuar një fluks i madh njerëzish. Të gjithë për të bërë telegramin e famshëm dhe marrjen e mandatit që i siguronte një prenotim prej dhjetë ditësh në një nga dhoma e këtyre turizmeve.
VIZITAT DHE FATI QË SILLTE VIZITORI I PARË
Kush i ka jetuar ato kohë, pa dyshim që i kujton vizitat sfilitëse familjare që fillonin në mesditën e datës 1, për të vazhduar për disa ditë. Shumë rëndësi kishte njeriu u parë që futej në shtëpi. Ishte ai që do të “përcaktonte” fatin e atij viti. Shkohej te të afërm, komshi, miq… më këmbë ose me autobusët e rrallë të linjës së tejmbushur, pasi taksitë që kanë funksionuar deri në vitet ’70, nuk ishin më. Ka qenë një traditë që praktikoje në vite në gjithë Shqipërinë dhe që u shuan me ndërrimin e sistemeve.
ZONJA KARMON, GRUAJA MODERNE E BALLOVE
Ka qenë shumë elegante, e njohur jo vetëm si gruaja e Paskal Karmon, sekretarit të Parë të Ambasadës Franceze, por për veshjen moderne prej lëkure që përdorte. Po kështu, edhe vajzat e ambasadorit polak, që mbrëmjen e Vitit të Ri, shfaqeshin me minifunde klasike, duke qenë në qendër të vëmendjes. Protagoniste ishin gjithashtu edhe gratë, vajzat e zyrtarëve të ambasadave perëndimore, që u jepnin jetë ballove argëtuese që vazhdonte pas mesnate. Ky frekuentim i “Dajtit” vazhdoi për inerci pas viteve ’60, edhe për disa vite të tjera, thuajse deri në fillim të viteve ’70. Hyrja, frekuentimi në përgjithësi dhe në veçanti i natës së Vitit të Ri, ishte vetëm për të huaj dhe një elitë të kufizuar personash e familje të zgjedhuara. Ndryshimi ishte i dukshëm, jo muzikë moderne, por shqiptare dhe të huaj, kryesisht me këngët të kohës.
VITI I RI NË BLLOK
Viti i Ri në Bllok ka qenë i veçantë, kjo e lidhur edhe me kohën. Fillimisht, në periudhën pas lufte, e në vijim të viteve ’50 e ’60, festa e Vitit të Ri organizohej familjarisht nga të gjithë anëtarët e byrosë që mblidheshin në Odën e Pallatin e Brigadave, kështu quhej mjedisi në të cilin kalonin natën e ndryshimit. Me kalimin e viteve, familjet filluan të preferojnë Shtëpinë Qendrore, ndërsa fëmijët të veçuar e festonin te “Vila 2”, por edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, kur ai nuk ishte aty.
Pas viteve ’70, saktësisht pas 1973, kur filluan goditjet e grupeve në art, ushtri, ekonomi, u prishën miqësitë, lidhjet dhe preferencat, secila familje mblidhej në shtëpi, brenda Bllokut të kufizuar e ruajtur me ushtarë, pa shumë zhurmë kalonte Vitin e Ri. Edhe për faktin se fëmijët e tyre të rritur ishin martuar e kishin fëmijë të vegjël, çka e kushtëzonte daljen, apo lëvizjen në mjedise publike. Të nesërmen vijonin vizitat tradicionale. Një ndryshim në mentalitet u pa në fund të ’70, kur fëmijët e pak zyrtarëve të lartë filluan të shkojnë te “Hotel Dajti”, të ndaluar për shqiptarët, apo të dalin edhe jashtë shtetit për festat e fundvitit, diçka që nuk ishte bërë asnjëherë më parë.
Nga Panorama