Ashtu siç ishte paralajmëruar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punimet në segmentin e parë rrugor Kashar-Vorë, pjesë e autostradës Tiranë–Durrës.
Siç u njoftua nga ARRSH, punimet konsistojnë në shtrimin e shtresës së asfaltit dhe rehabilitimin e rrugës, ndërkohë që kjo fazë pritet të vijojë përgjatë gjithë muajit qershor.
Ndërkohë, pas mbylljes së sezonit turistik, parashikohet që të nis ndërhyrja e plotë në këtë aks, ndërsa lëvizja e mjeteve në këtë aks aktualisht është devijuar.
Në vazhdim të projektit të rehabilitimit të plotë të këtij segmenti Autoriteti po punon që këtë projekt ta përkthejë në kushtet e manualit shqiptar dhe në bashkëpunim
me ministrinë e Transportit dhe të Financave po punojnë që të gjejnë fonde nga buxheti i shtetit, me qëllim që pas sezonit turistik të bëjnë rehabilitimin e plotë të këtij segmenti.
NJOFTIMI
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e hënë (dt.11 Qershor), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore
do të fillojë ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar-Durrës dhe Durrës-Qafë Kashar. Ndërhyrja për gjithë autostradën në dy senset do të realizohet gjatë muajit Qershor. Ditën e hënë do të fillojë ndërhyrja në segmentin e parë Qafë Kashar – Vorë.
ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Gjatë ditës së Hënë dhe të Martë do të bllokohet dhe kryhet ndërhyrja në segmentin e parë nga Qafë Kashari në drejtim të Vorës. ARRSH dhe Policia Rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:
·Lëvizja e mjeteve të rënda në drejtim të veriut duhet të bëhet përmes Kamzës nga rreth rrotullimi Casa Italia.
· Autoveturat që shkojnë në drejtim të Durrësit do të përdorin daljen tek pika e furnizimit Kastrati dhe mbikalimin për Kashar në drejtim të Vorës.
· Drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion jugun, duhet të përdorin drejtimin nga Elbasani si dhe kthimin për Tiranë të përdorin sërish drejtimin nga Elbasani.
· Mjetet me kalim nga Rinasi drejt Durrësit duhet të përdorin rrugën dytësore Qafë Kashar-Vorë (300 m përpara mbikalimit të Kasharit) ose në drejtim të aksit Rinas-Vorë në drejtim të doganës.
· Në mënyrë të veçantë drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.
· Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë Rrugore dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.
· Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.
Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Qafë Kashar – Vorë do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia Rrugore do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik.