Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda, nga Rinasi përcolli një mesazh për qytetarët shqiptarë që tentojnë të udhëtojnë në vendet e BE-së, duke theksuar se shanset për të përfituar azil janë zero.
Zv.ministrja e bëri këtë deklaratë nga Rinasi, ku këtë të mërkurë u bë riatdhësimi i 30 shqiptarëve nga Franca. “Jemi këtu për të dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për t’u thënë se shanset për azil në vendet e BE janë zero. Tashmë prej 3 vitesh Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra një vend i sigurt ku qytetarët e tij, shanset, e theksoj dhe një herë për të kërkuar azil, janë zero. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të jenë ndërgjegjshëm që sigurisht lëvizja e lirë nuk do t’u cënohet.”
Ky është avioni i tretë charter me shqiptarët të riatdhësuar teksa, një tjetër pritet brenda pak ditesh. Ndërkohë edhe policia e shtetit ka marrë një plan masash, për të monitoruar lëvizjet e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve shqiptarë, për të forcuar kontrollin kufitar. Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, ndaj e vetmja mënyrë për të gjithë ata shtetas që duan të gjejnë punë në vendet e BE-së, është rruga ligjore.