Sezoni veror frenon largimin në masë të punonjësve nga puna. Të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për një përmirësim të lehtë në të ardhurat e mbledhura nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, me rreth 22 milionë lekë.
Nëse përpjesëtojmë këtë vlerë financiare prej 22 milionë lekësh me 15.066 lekë kontribute shoqërore e shëndetësore për pagën mesatare në shkallë vendit na rezulton se në gusht kontribuuan 1460 punonjës më shumë sesa në korrik.
Të total në gusht u mblodhën nga këto 2 zëra 7.66 miliardë lekë nga 7.64 miliardë në muajin korrik. Ndërkohë krahasuar me një vit më parë të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore janë tkurrur me 1.3 miliardë lekë. Në total në 8-mujorin e këtij viti, janë mbledhur 63.4 miliardë lekë nga këto zëra.
Po të kalkulojmë të ardhurat e munguara në raport me pagën mesatare dhe kontributet e punonjësve vihet re se numri i të papunëve nuk është rritur, madje ka pësuar një rënie të lehtë.
Nëse pjesëtojmë të ardhurat e munguara pra 1 miliardë e 310 milionë lekë, me 15.066 lekë kontribute shoqërore e shëndetësore për pagën mesatare aktuale në vend në vlerën e 54 mijë lekëve, del që janë rreth 86 mijë e 950 punonjës që nuk kanë kontribuar ose ndryshe janë të papunë.