Edhe këtë vit qeveria parashikon që të rritë pensionet për të moshuarit. Për 2018-në Këshilli I Ministrave ka parashikuar që të indeksojë pensionet, që është një detyrim ligjor, por edhe ti rritë ato më shumë se sa është inflacioni.
Në dokumentin strategjik të qeverisë që është miratuar në 2017-në, është parashikuar që pensionet të rriten me 3% përgjatë 2018-së. Pavarsisht se inflacioni është në masën 2.1%, qeveria do ti rritë më shumë të ardhurat për pensionistët.
Vendimi pritet të miratohet në muajin korrik, ç’ka do të sjellë një rritje të pensionit për më shumë se 650 mijë pensionistë. Rritja 3% do të thotë se pensioni minimal do të shtohet me rreth 400 lekë të reja, ndërkohë që pensionet e tjera do të rriten më shumë.
Shtesa
Në dokumentin e qeverisë theksohet se rritja e pensioneve do të vijë për shkak të rritjes së të ardhurave nga kontributet. Por duke ju referuar të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kontributet nuk janë mbledhur sipas planit.
Pavarisht këtij fakti burime të gazetës nga Ministria e Financave thanë se përsëri pensionet do të rriten, më shumë se ç’është norma e inflacionit sot.
Kontributet
Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë edhe ata të moshuar që dalin në pension pas muajit korrik 2018. Kjo do të thotë se përfitohet një shtesë, nga formula që llogariten sot pensionet. “Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë.
Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar; b) Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive; c)
Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi”, – thuhet në ligjin e sigurimeve shoqërore.