Katër banorët e fundit në fshatin Gjorm të Malësisë së Madhe janë vëllezërit Braxhija dhe bashkëshortet e tyre. Star Plus udhëtoi drejt këtij fshati në të cilin gjen vetëm shtëpi të shembura, e banesa të kyçura me dry.
Pamundësitë ekonomike i kanë detyruar banorët e atyre fshatrave që të marrin rrugët e emigrimit kryesisht. I fundit që emigroi është një i ri i fshatit që pak muaj më parë shkoi drejt Anglisë me një gomone tregon babai i tij Hasan Braxhija.
Edhë fëmijët e Rifat Braxhisë, një prej katër banorëve të fshatit të mbetur kanë emigruar pasi aty nuk ka të ardhme.Edhe të moshuarit nuk kanë rrugë tjetër veçse të largohen nga fshati i harruar.
57 vjeçari Bajram Imeri është një fermer i zakonshëm i fshatit Grizhë i cili edhe pse është munduar të punojë tokën, shteti sipas tij nuk i ka dhënë asnjë ndihmë. Ekonomia e dobët dhe harresa e shtetit, tregon fermeri po bën që edhe ai fshat në Malësinë e Madhe të shpopullohet.
Këto janë tokat e lëna djerr nga banorët e këtyre fshatrave në Malësinë e Madhe.
Bashkë me shtëpitë e braktisura, të njëjtin fat ka pësuar edhe shkolla e fshatit në të cilën nuk bëhet mësim pasi nuk ka nxënës dhe godina është amortizuar.
Fahri Rexhvelaj, ish punonjës i gjendjes civile në bashkinë Malësi e Madhe thotë se tashmë numri i banorëve në fshatra është ulur në mënyrë drastike.
Fshatrat edhe në Malësinë e Madhe nuk i kanë shpëtuar fenomenit të shpopullimit masiv. Ky eksod i 10 viteve të fundit vetëm sa vjen e shtohet. Të moshuarit kanë mbetur të vetmuar e po ashtu shumë zona po shuhen përfundimisht, duke humbur historinë, traditën dhe gjurmët e të parëve.