Njësia Administrative Rrethina vijon të shfaqë probleme serioze sa i përket menaxhimit me mbetje pavarësisht se pak kohë më parë kryebashkiakja e Shkodrës dhe administratori i njësisë deklaruan se kontraktimi i një firme private për pastrimin e zonës do të zgjidhë përfundimit problematikën.
Situatra në realitet është ndryshe. Qindra banorë të fshatit Zus, pjesë e Njësisë Administrative Rrethina përballen çdo ditë me mungesën e vëmendjes nga ana e pushtetit lokal.
Jashtë kamerave ata tregojnë se koshat e mbetjeve në këtë fshat kanë të paktën 10 ditë që nuk pastrohen, situatë e cila ka formuar pirgje me mbetje të kthyera në burim epidemish për banorët.
Pasi janë tejmbushur konteinerët, prej ditësh banorët e fshatit detyrohen që ti hedhin mbeturinat jashtë këtyre hapësirave të destinuara. Ndërkohë, fshati Zus i njësisë Rrethina është impakti i parë i mijëra turistëve vendas dhe të huaj me Shkodrën.
Ata që kalojnë përmes pikës kufitare të Muriqanit përballen me koshat që nuk pastrohen, pavarësisht se njësia tjetër ajo e Anës së Malit duke filluar që nga fshati Oblikë po përpiqet të menaxhojë situatën e mbetjeve.
Pavarësisht apelit të herëpashershëm të banorëve, edhe gjatë stinës së verës Njësia Administrative Rrethinat vijon të mbartë probleme serioze në aspektin e menaxhimit të mbetjeve urbane.