Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Përsëritësi”, ku janë arrestuar dy persona dhe sekuestruar dy automjete. Në pranga kanë rënë shtetasit  M. J., 44 vjeç, banues në Tiranë,  i dënuar më parë tre herë për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë me mallra për të cilët paguhet akcizë dhe F. I., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasit M. J. dhe F. I., janë ndaluar pasi kanë bërë një kontratë fiktive. Shtetasi  M.J. i ka shitur shtetasit F.I., me kontratë fiktive 1 milion lekë të vjetra një pronë, objekt shtypshkronjë me adresë në qytetin e Tiranës, biznes i cili ka një xhiro mujore rreth 100 milion lekë. Kjo është bërë për të fshehur të ardhurat, vepër penale kjo e cila është kryer me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi i një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se 8 milion lekë.

Shtetasi i dyshuar M.J, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dy automjete, pronë e një banke të nivelit të dytë, për të cilat kolateralin dhe kredinë e paguanin shtetasit N.SH dhe O.SH.

Gjithashtu shtetasi i dyshuar M. J., ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme xhiron mujore të një biznesi të shtetases O. Sh., në vlerën rreth 55 milion lekë të reja.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Vjedhje në shuma të mëdha”, “Vetëgjyqësi” në ngarkim të M. J dhe “Fshehje të ardhurave kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit F. I.

Artikulli paraprakANKIMI NGA KOMISIONERI PUBLIK, ZAGANJORI DORËZON 10 PROVA TË REJA
Artikulli tjetërPD E KUKËSIT PADIT KOMISIONERËT E 30 QERSHORIT: VOTUAN PERSONA QË S’JANË NË SHQIPËRI