Për t’i shpëtuar kapjes nga policia trafikantët kanë shpikur metoda nga më të ndryshmet për të fshehur lëndën narkotike. Por 58-vjeçari Gjin Fusha nga Dukagjini ka gjetur një mënyrë të re: E ka fshehur kanabisin në bombolën e gazit të makinës së tij me të cilën tentoi të linte Shqipërinë përmes pikës kufitare të Muriqanit.
Plani i tij i mirëmenduar, mori fund pasi gjatë kontrollit të detajuar nga policia kufitare në vijën e dytë, në makinën me të cilën udhëtonte Gjin Fusha u zbuluan 20 kilogramë kanabisi të fshehura në bombolën e gazit të automjetit tip Volvo në pronësi të tij. Në pjesën e brendshme të bagazhit, efektivët kufitarë konstatuan një bombol gazi me ngjyrë të zeza metalike e cila kishte shenja të lyerjes me bojë të re. 58-vjeçari për tu siguruar se do t’ia hidhte policisë kufitare, kishte futur një tjetër bombol metalike, ku pas hapjes së saj u gjet edhe lënda narkotike. Kanabisi ishte vendosur në disa pako në formë rrethore e mbështjellë me celefon e presuar Gjin Fusha u arrestua në flagrancë nga specialistët e Sektorit të narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. 58 vjeçari lindur në Nenmavriq të Dukagjinit akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.