Formula “Final 4”, risia e FSHF-së në këtë edicion futbollistik nuk do të aplikohet vetëm në kampionatin “Abissnet Superiore” për djem, por edhe në kampionatin e vajzave. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga epilogu i këtij sezoni futbollistik në kampionatin e vajzave, katër skuadrat që do të jenë pjesë e “Final 4” janë shpallur tashmë, falë renditjes. Vllaznia, Apolonia, Partizani e Tirana janë katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, nga ku njëra prej tyre do të shpallet edhe skuadra kampione e sezonit futbollistik 2023-2024. Por si do të funksionojë skema? Pasi të përfundojnë edhe ndeshjet e mbetura të këtij edicioni, skuadrat e renditura nё vendin e parё, dytё, tretë dhe të katërt, do të zhvillojnë ndeshje play off sipas shortit, që do të hidhet pas përfundimit të fazës së dytë.

Në vazon e parë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 1-rë dhe të 2-të, përkatësisht Vllaznia dhe Apolonia dhe në vazon e dytë do të jenë ekipet e renditura në vendin e 3-të dhe të 4-të, përkatësisht Partizani dhe Tirana. Në këtë mënyrë Vllaznia do të përballet me Partizanin ose Tiranën në sfidën gjysmëfinale. Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje, teksa sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të renditura më poshtë në klasifikimin e përgjithshëm. Në rast barazimi tё pikёve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.

Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë. Sakaq, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt, me ndeshjen që do të luhet po në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi kampion i “Abissnet Superiore” për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League. Në dy javët e fundit Vllaznia do të luaj me Apoloninë e vendit të dytë në transfertë dhe më pas pret Kinostudion.

Nga ana tjetër Apolonia sfidën tjetër e ka me Partizanin e vendit të tretë pasi të kuqtë do të luajnë në javën e parafundit përballë Laçit. Tirana dy sfidat e fundit do t’i ketë me Kinostudion dhe Teutën. Vajzat kuqeblu kryesojnë me 45 pikë kampionatin ndërsa Apolonia ka 42 pikë, dhe në vendin e tretë dhe të katërt Partizani dhe Tirana me 36 pikë. Kinostudio e vendit të pestë nuk ka mundësi të futet në Play Off pasi ka vetëm 28 pikë, 9 më pak se vendi i katërt kur në lojë janë 6 pikë të mundshme në dy ndeshjet e fundit. Vllaznia është pretendentja kryesore për titullin kampion edhe këtë vit siç ka bërë 10 sezonet e mëparshme duke qenë ekipi absolut.

Artikulli paraprakVIJOJNË TAKIMET PËR PLANIN E MOBILITETIT NË SHKODËR
Artikulli tjetërSULMET E METËS NDAJ KREUT TË SPAK/ VJEN REAGIMI I FORTË NGA BE