Zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit do të përcaktojnë marrëdhënien e ardhshme të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kështu shkruan gazetarja Kerin Hope, në një artikull për “Financial Times”. Ndërsa citon rastin e një qytetari shqiptar, të cilit i është dashur të përballet me sistemin e korruptuar gjyqësor në betejën për të marrë mbrapsht pronën e tij, artikulli kujton se progresi në fushën e së drejtës së pronës dhe lufta kundër korrupsionit janë mes kushteve të vendosura nga blloku, përpara se Tirana të nisë bisedimet e shumëpritura për integrimin në BE.
Kryeministri Edi Rama shpreson të fitojë një mandat të dytë, duke premtuar të bëjë më shumë sa i përket këtyre dy problematikave. Hope përmend deklaratën e Ramës, i cili ka thënë se çështja e pronave ka qenë një lëmsh i vërtetë për vite me radhë, e ka prekur jetët e shumë njerëzve. Ndërkohë, sipas gazetares, nxitja e ligjit që synon pastrimin e drejtësisë nga elementët e korruptuar ka shtuar mbështetjet për partinë e Ramës, e megjithatë kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i siguruar shumicën në Parlamentin 140-vendesh. Ndërsa përmend krisjet me ish-partnerin e koalicionit, LSI-në, “Financial Times” shton se në vendin e dytë më të varfër të Europës, ritmi i transformimit mbetet në dyshim. Fushata zgjedhore u shënua nga akuzat reciproke, se cila parti është përgjegjëse për papunësinë e lartë, që detyron shumë të rinj të emigrojnë, si dhe hapat e ngadaltë në ndërtimin e infrastrukturës së re. Një tjetër plagë është dështimi i Shqipërisë në luftën kundër trafikimit të drogës e krimit të organizuar.
Zgjedhjet e shkuara janë shënuar nga protesta të dhunshme, e megjithatë trazira të tilla janë shmangur këtë herë. Nëse vëzhguesit ndërkombëtarë do të gjykojnë se zgjedhjet u zhvilluan pa probleme, kjo do të shtojë mundësitë e Shqipërisë për nisjen e negociatave për anëtarësimin nga fundi i këtij viti, e bashkimi me BE-në do të ndodhë në vitin 2022. Një zyrtar perëndimor i cituar nga “Financial Times” thotë se, integrimi në BE shihet si një rezultat i paevitueshëm nga udhëheqësit politikë në Shqipëri, por se deri më tani nuk ka ekzistuar nevoja urgjente për të mbërritur atje.