Fundjava ka sjellë një moskujdesje të drejtuesve të mjeteve, e për pasojë edhe ndëshkimin e tyre nga ana e policisë rrugore. 138 patenta janë hequr dhe 2051 gjoba! Është ky bilanci i 24 orëve të fundit të Policisë Rrugore.
Referuar burimeve zyrtare, në terren kanë dalë 32 patrulla me punonjës policie dhe civilë, 4 dronë dhe 6 radarë, ku janë evidentuar në sërë shkeljesh nga ana e shoferëve shqiptar, duke nisur që nga parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit në timon, mosvendosje të rripit të sigurimit apo parkime të gabuara. Ndërkohë, edhe nuk janë ndalur garat e shpejtësisë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, njofton policia, 8 shoferë janë dërguar në komision pasi po kryenin gara shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Në njoftimin e saj Policia e shtetit bën të ditur se Policia Rrugore prej dy ditësh po monitoron me dronë akset rrugore nacionale për evidentimin dhe ndëshkimin e parakalimeve të gabuara, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore. Në kuadër të këtij plani, në akset rrugore bregdetare dhe në akset kombëtare, në zonat urbane, interurbane dhe ato rurale, janë shtuar monitorimet duke përdorur dronë dhe patrulla me punonjës policie civil krahas atyre me uniformë, me qëllim kontrollin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve dhe motorçikletave, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe të rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë.
Si rezultat i monitorimit me dronë nga njësia operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe dhe nga patrullat me punonjës civilë, dje dhe paraditen e sotme, në akset “Elbasan-Peqin”, “Fier-Vlorë-Orikum”, “Fier-Tepelenë-Gjirokastër”, “Milot-Lezhë” dhe “Milot-Morinë” dhe aktualisht në “Fushë-Krujë-Milot”, janë evidentuar dhe ndëshkuar 896 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara.
Në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit nga shërbimet e Policisë duke përdor 6 radarët janë evidentuar dhe ndëshkuar 97 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara duke ju pezulluar leja e drejtimit. Janë dërguar në Komisionin e OASH 8 drejtues mjetesh për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë.