Sezoni turistik ka shkaktuar radhë kilometrike të automjeteve që kërkonin të hynin në Shqipëri dhe anasjelltas përmes doganës së Muriqanit. Kjo situatë që vazhdon prej katër ditësh është krijuar në të dy anët e kufirit në atë shqiptar dhe të Malit të Zi, ndërsa pritja e një automjeti varionte nga 3 deri në 5 orë. Qytetarët që presin për të kaluar kufirin janë kryesisht shtetas të Kosovës, që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, por një pjesë e mirë e tyre janë edhe turistë nga vende të ndryshme që i drejtohen Ulqinit.

Qytetarë nga Kosova, Mali i Zi, si dhe turistët e huaj të cilët kanë zgjedhur të kalojnë përmes Muriqanit për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 3 orë në pikën kufitare. Duke qëndruar për disa orë në mes të vapës, drejtuesit e automjeteve shpeshherë në shenjë pakënaqësie kanë mbajtur të shtypur për disa minuta boritë e makinave. Veçanërisht fundjava shton lëvizjet dhe nëse do të ndiqet kjo praktikë, situata do të jetë më kaotike në këtë pikë kalimi kufitar. Sipas qytetarëve, të cilët prej disa orësh qëndrojnë në pritje të kalimit të kufirit, deri tani nuk është shfaqur asnjë nga punonjësit e policisë apo personat përgjegjës për t’i sqaruar, se cili është problemi i krijimit të këtyre radhëve të gjata. Sipas dëshmive të qytetarëve, bëhet e ditur se prej disa orësh janë krijuar këto radhë të gjata, ku makinat e fundit as nuk e shohin dot kufirin. Udhëtarët fajësojnë autoritetet shqiptare për këtë situatë të rënduar. Sipas tyre, në pikën tonë kufitare punohet me një sportel, ndërsa në këtë kohë të kulmit të sezonit turistik duhej të viheshin në punë më shumë sportele për të shmangur radhët e gjata. Ndërsa autoritetet shqiptare fajësojnë shtetin malazez për një urdhër të papritur nga Ministria e Brendshme e Malit të Zi. Sipas këtij urdhri, pasaportat e shtetasve që kalojnë kufirin nga kontroll i përshpejtuar ka kaluar në kontroll normal. Kaq ka mjaftuar që radhët në pikën e kalimit kufitar Muriqan-Sukobinë t’i kalojnë 5 kilometra.

Artikulli paraprakVELIPOJA, SA SHTRENJTË PËR TË PUSHUAR
Artikulli tjetërNJË E DIELË GUSHTI NË SHIROKË