Të paktën katër persona kanë vdekur si pasojë e fundosjes së një anijeje me 251 udhëtarë në ujërat e kepit Dinahica në Filipine, rreth 70 kilometra nga kryeqyteti Manila, transmeton Anadolu Agency (AA). Siç bëjnë të dituar mediat lokale, ekipet për shpëtim kanë konfirmuar vdekjen e katër udhëtarëve, por kanë njoftuar edhe për shpëtimin e 199 të tjerëve.
Shefi i policisë lokale, Rhoderick Armamento, tha se pjesa më e madhe e udhëtarëve tashmë janë shpëtuar, për të shtuar se operacioni vazhdon për dhjetra udhëtarët tjerë të cilët ndodhen në ujërat e kepit Dinahica.
Shkaqet që çuan në fundosjen e anijes akoma janë të paqarta, por siç bën të ditur policia, sipas të gjitha gjasave e njëjta është goditur nga valë të mëdha. Operacioni për kërkim dhe shpëtim është në vazhdim e sipër, por i njëjti po pengohet nga valët e mëdha të detit dhe shirat e rrëmbyeshëm të cilat i ka shkaktuar stuhia tropikale Vinta, e cila përfshiu të enjten Filipinet