4 Janari u parashikua si data përfundimtare e shpalljes së fituesve të ankandit për shpërndarjen e druve në bashkinë Shkodër, por akoma nuk ka të përzgjedhur nga ky konkurrim.

Vonesat e paraqitura në këtë proces justifikohen me kometencat e deleguara nga Ministria e Mjedisit që u lejon bashkive që nga fillimi i këtij viti të kenë përgjegjësi të plotë në këtë proces. Gjatë një bisede telefonike, n/kryetari i bashkisë Shkodër Arben Gjuraj shpjegoi se të drejtat që ka patur bashkia gjatë vitit 2016 për furnizimin me dru, plotësonin vetëm 5-7% të nevojave të qytetarëve. Ndërkohë, nga 1 janari, bashkitë kanë përgjegjësi të plota, ç’ka do të thotë se lind nevoja për ngritjen e një ndërmarrjeje të mirëfilltë për menaxhimin, prerjen e pyjeve dhe shpërndarjen e druve në popullatë.

Sipas Gjurajt, pas shpalljes së fituesve për furnizimin gjatë kësaj periudhe, do të fillojnë procedurat për krijimin e strukturave të nevojshme të menaxhimit. Puna për ngritjen e një ndërmarrjeje do të nisë pas udhëzimit që Ministria e Mjedisit do t’u dërgojë të gjitha bashkive. Shefi i policisë Pyjore Mark Ndou nga ana tjetër ka deklaruar më parë se vonesat procedurale të shfaqura nga bashkia kanë ndikuar në rritjen e çmimit të lëndës drusore.

Mjaft qytetarë shprehen gjithashtu se kanë hasur vështirësi në blerjen e lëndës drusore, por edhe çmimi është rritur së tepërmi. Mungesa e furnizimit me dru zjarri nga ana e bashkisë ka rritur edhe rastet e prerjeve të paligjshme të pyjeve duke thyer kështu moratoriumin. Ata që dëmtohen më tepër nga kjo situatë e krijuar janë qytetarët e Shkodrës, të cilët si pasojë e përdorimit të lëndës drusore nga Mali i Zi, detyrohen të paguajnë një çmim tejet të lartë që arrin deri në 6500 lekë për m3.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NISET DREJT ULQINIT NË FAZËN PËRGATITORE
Artikulli tjetërZJARRI, INSPEKTIM NGA EMERGJENCAT CIVILE