Nga të rinjtë deri tek shteti binacional maqedonas:

Në Maqedoni ndizet fushata e partive e koalicioneve, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor. Fushata zgjedhore e saposhpallur zyrtarisht në Maqedoni do të zgjasë 20 ditë dhe do të përfundojë më 9 dhjetor në mesnatë. Në zgjedhjet e parakohshme marrin pjesë 11 subjekte politike, gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista të kandidatëve. BDI- E ardhmja e Maqedonisë është vetëm Evropa Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti konventën zgjedhore në Shkup, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit. Vota për BDI-në është votë për vazhdimin e rrugës euroatlantike që ka për qëllim kjo parti, si dhe për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat reja të këtij vendi, ka theksuar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. BDI do të angazhohet për mirëqenien sociale dhe ekonomike, barazinë e plotë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjitha fushat, si dhe përfundimin e proceseve të integrimit euroatlantik të vendit, premtoi Ahmeti. Sipas liderit të integristëve, opcion i vetëm për shqiptarët është integrimi në BE dhe NATO, dhe të gjitha ideologjitë e tjera e kthejnë vendin mbrapa. “Kemi punuar me të tëra energjitë tona që kemi pasur, që vendi ynë, kombi ynë të jetë i rreshtuar pranë kombeve të Europës Perëndimore, jemi përpara situatave ku duhet më shumë forcë dhe guxim të veprojmë, të mendojmë si një trup, sepse rruga jonë euroatlantike nuk duhet penguar, nuk duhet ndalur. Rruga jonë e vetme është rruga euroatlantike, e jo rrugë të tjera që përpiqen të trasojnë rrugë euroaziatike”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ahmeti gjithashtu u bëri apel subjekteve tjera politike që në vend të përpjekjeve për të shkatërruar BDI-së, të koncentrohen në krijimin e një platforme të mirëfilltë politike. Aleanca për shqiptarët kërkon shtet binacional “Aleanca për shqiptarët” ka mbajtur konventën zgjedhore, ku ka prezantuar platformën dhe kandidatët për deputetë. Tre parti politike garojnë në këtë Koalicion-UNITETI, Lëvizja për Reforma në PDSH dhe Rilindja Demokratike Kombëtare. “Aleanca për shqiptarët” synon barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoni si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë institucional, duke filluar që nga institucionet më të larta të shtetit ka deklaruar kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela. “Ne në asnjë moment nuk do të tërhiqemi nga shteti binacional, ose barazia e tërësishme mes shqiptareve dhe maqedonasve, ose më bashkë shqiptarët këtu do t’i bëj me federatë. Ne nuk do lejojmë që dikush tjetër ta bëjë zyrtare gjuhën, e cila ka zbrit nga Zoti vetë, gjuhën shqipe do ta bëjmë ne”, deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela. Aleanca për shqiptarët” premton ndryshime kushtetuese në të mirë të shqiptarëve, ndarje të buxhetit lokal, ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e tyre dhe luftë për shtet të së drejtës. Ajo kërkon që Prokuroria Speciale të rregullohet me Kushtetutë dhe të vazhdojë me punë të suksesshme për nxjerrjen para gjyqësisë të të gjithë atyre që kanë shkelur ligjet. VMRO-DPMNE: Premtim për prosperitet Lideri i VMRO-DMPNE-së, Gruevski është i sigurt se qytetarët e Maqedonisë do të votojnë për përparimin dhe prosperitetin e vendit, platformë që, sipas tij, e ofron vetëm VMRO-DPMNE. Sipas tij, VMRO-DPMNE garon me projekte dhe afate konkrete për realizimin e tyre në katër vitet e ardhshme. “Pjesë e programit janë projektet për paga dhe pensione më të larta, subvencione bujqësore, autostrada, hekurudha dhe kapacitete të reja energjetike, mbështetje më e madhe financiare për kompanitë, si dhe shumë përfitime për të filluar biznese, zvogëlimi i papunësisë, zona zhvillimore rurale, në të cilat investuesit potencialë për çdo fabrikë të hapur do të marrin stimulim financiar nga shteti dhe lirime nga tatimet, rritje e asistencës sociale dhe investime në shëndetësi dhe arsim”. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski gjatë prezantimit të platformës ka theksuar ndërkohë edhe qëndrimet e partisë që ai drejton për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe ka akuzuar shërbimet e huaja dhe opozitën në vend për krizën politike që tashmë, sipas tij, dy vjet e gjysmë po i mban peng qytetarët e Maqedonisë. ”Deklarata e Zaevit për modelin zviceran për Maqedoninë, duke e zyrtarizuar gjuhën shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë, vetëm e vërteton atë që e kam thënë më herët. Qytetarët e Maqedonisë asnjëherë nuk do të votojnë propozimet e Zoran Zaevit për ta ndarë Maqedoninë që të futet në krizë më të thellë etnike”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. LSDM: Vëmendje të rinjve Ndëra programi zgjedhor i LSDM-së i kushton vend të posaçëm të rinjve. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka prezantuar platformën e LSDM-së, e cila, sipas tij, është drejtpërdrejtë e lidhur me të rinjtë në çdo segment të saj, pasi në platformë bëhet fjalë për të ardhmen që ju takon pikërisht të rinjve. “Ky është programi ynë zgjedhor, e kemi quajtur “Plan për jetë në Maqedoni” me 100 mijë kopje dhe çdo faqe e saj ka pjesë për të rinjtë, të gjitha faqet madje edhe kur flasim për pensionistët, për gjeneratat më të vjetra, flasim se si t’i shpëtojmë nëpërmjet ndihmës së të rinjve, që pensioni të mbetet te ata, gjithçka i është kushtuar të rinjve.” Për Zaev pas 11 dhjetorit do të kemi inkuadrim të drejtpërdrejtë të të rinjve në politikat tona. Kjo përbërje parlamentare do të ketë më së paku shtatë të rinj, grup për herë të parë, të cilët do të jenë direkt të kyçur në shtëpinë më të fortë shoqërore, ose shtëpia më e rëndësishme e kësaj shoqërie demokratike dhe ajo është Parlamenti i Maqedonisë.”

Artikulli paraprakRINAS, AKSIDENTOHET PËR VDEKJE NJË PERSON
Artikulli tjetërTRUMP HEQ DORË…