Fabrika e bakrit në Fuzhë Arrëz shkarkon mbetjet e përpunimit në lumin Fan i Madh, duke ndotur kështu jo vetëm lumin, por edhe tokat të cilat vaditen nga ky lum. Denoncimi vjen nga vetë banorët e zonës të cilët kanë dërguar disa video të lumit Fan i Madh në redaksinë e Star Plus Televizion duke treguar ndotjen që po i bëhet këtij lumi.

Banorët paralajmërojnë se do t’i rikthehen sërish protestave për fabrikën e bakrit duke qënë se dëmi që u shkaktohet është i madh. Banorët të cilët do të protestojnë nën motën “Mos na vrisni Fëmijët”” pretendojnë se fabrika e bakrit në Fushë Arrës hedh në lumë koncentrat pa e ricikluar aspak duke bërë kështu ndotjen e lumit. Protesta pritet që të zhvillohet nga të gjithë banorët e fshatrave që preken nga ndotja përgjatë lumit por edhe nga banorë të tjerë të bashkive Puke dhe Fushë Arrës.

Banorët kërkojnë asgjë tjetër veçse pastërtinë e lumit që për ta është jeta në gjithë atë zonë. Lumi Fan i Madh siç shihet edhe nga pamjet ka marrë ngjyrë të zezë dhe atë të bakrit. Kjo dëshmohet edhe nga mbetjet e lëna në gurë të zallit. Përfaqësuesit e firmës BerAlba e cila është kompania koncesionare nuk kanë pranuar që të përgjigjen lidhur me këtë krim mjedisor siç pretendojnë banorët.

Nga ana e saj bashkia Fushë Arrës ka pranuar se ankesa kanë vajtur edhe pranë tyre, ndaj kanë ngritur një grup pune për të vlerësuar situatën. Sipas tyre mund të shkohet deri në pezullimin e aktivitetit të firmës, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh. Banorët kanë protestuar edhe më përpara e madje duke shkuar deri në përleshje fizike pikërisht për ndotjen që i bëhet prej vitesh lumit Fan i Madh por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje dhe ndotja ka vijuar normalisht.

Lumi Mat, është rreth 115 km i gjatë dhe është ndër më të rëndësishmit në vend. Ai ndahet mes lumenjve Fan i Madh edhe Fan i Vogël. Pikërisht në Fushë Arrëz kalon lumi Fan i Madh i cili së fundmi është ndotur dhe ka marrë ngjyrën e bakrit për shkak të shkarkimeve të fabrikës. Banorët kërkojnë që kjo ndotje të ndalet sa më parë ose do të përshkallëzojnë protestat e tyre.

Artikulli paraprakAMBASADORJA YURI KIM INTESIFIKON TAKIMET, NË ORËN 11:00 I SHKON NË ZYRË PRESIDENTIT
Artikulli tjetërSHKODËR, NIS MIRËMBAJTJA E RRUGËS SË DUKAGJINIT