Vllaznia në futboll për femra ka marrë fitoren e rradhës në kampionat, duke mposhtur këtë herë 2-1 Apoloninë. Vajzat shkodrane morën një fitore pa shumë shkëlqim, teksa zhvilluan një nga ndeshjet e tyre më të dobëta të gjithë këtyre viteve. Sa i takon ndeshjes, Vllaznia kaloi shpejt në avantazh me anë të autogolit që në minutën e 4-të. Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-0 për Vllazninë, Në të dytën, pikërisht në minutën e 55-të, pas një kundër-zbritje të bukur, Apolonia barazoi.

Vllaznia u hodh e gjitha në sulm për të shënuar golin e fitores dhe pas disa tentativash do të ishte futbollistja e ardhur nga stoli, Arlinda Kodra, që në minutën e 88-të, do të shënonte golin e dytë dhe të fitores për Vllazninë, që në këtë mënyrë triumfon me rezultatin 2-1. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka, u shpreh se ekipi i tij nuk bëri lojë të mirë, por fitorja ishte e merituar.

Nga ana tjetër, Megi Doçi, edhe pse nuk shënoi në këtë ndeshje, për të ishte një ditë e veçantë, pasi ka arritur numrin e 700-golave të shënuar në kampionat. Vetë Doçi u shpreh e lumtur për këtë arritje, por premtoi se këto rekorde nuk do të ndalen këtu, sepse ajo ka ndërmend të vazhdojë të shënojë.

Vllaznia, kampione në fuqi, vijon të kryesojë renditjen e kampionatit në kuotën e 22-pikëve.

Artikulli paraprakFLUKS PRENOTIMESH PËR FESTAT E FUNDVITIT
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 11.12.2023