Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra ka arritur që të dalë në finale të Kupës së Shqipërisë.

Vajzat shkodrane kanë luajtur takimin gjysmëfinal përballë ekipit të Tirana AS. Në këtë ndeshje vajzat shkodrane kanë luajtur më mirë dhe kanë arritur që të fitojnë me rezultatin e thellë 6-0 ndeshjen gjysmëfinale të Kupës. Në këtë përballje Vllaznia në secilën prej pjesëve ka shënuar nga tre gola. Ka qenë një sfidë ku ekipi i drejtuar nga trajneri Nikolin Lekaj nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim fitoren përballë ekipit kryeqytetas. Begolli ka hapur serinë e golave për Vllazninë në pjesën e parë për të vijuar më pas me Doçin e cila ka çuar në 2-0 shifrat. Bajraktari për ekipin kuqeblu realizon edhe golin e tretë duke e çuar në 3-0 rezultatin në pjesën e parë. Në 45 minutat e dyta është Muja ajo që thellon në 4-0 shifrat ndërsa Doçi realizon golin e saj të dytë në këtë ndeshje dhe të pestin për Vllazninë. Fitorja e Vllaznisë në shifrat 6-0 vuloset me anë të mbrojtëses Proto. Në këtë mënyrë shkodranet marrin një fitore të merituar ndaj Tiranës duke arritur kështu që të kalojnë në finale të Kupës së Shqipërisë. Ende nuk është vendosur se kur do të luhet ndeshja finale. Vllaznia edhe në takimin final është pretendente kryesore dhe kërkon fitimin e këtij trofeu duke mos neglizhuar aspak. Po ashtu në rrugë të mbarë Vllaznia është edhe në kampionat teksa mban vendin e parë në renditje e shkëputur nga skuadrat e tjera dhe qartazi duke bërë diferencën. Edhe pse ka ende kohë, gradualisht ekipi kuqeblu do të përgatitet për pjesëmarrjen në eleminatoret e Ligës së Kampioneve teksa kërkon të bëjë realitet kualifikimin në fazën e grupeve edhe pse është e vështirë për t’ia arritur.

Artikulli paraprakSHUHET UMBERTO ECO, KULTURA ITALIANE NË ZI
Artikulli tjetërMARRËVESHJA E BRITANISË ME BE, PËRSHËNDETET NGA BRITANIKËT