Është luajtur java e tetë e kampionatit të Kategorisë së Dytë. Kështu, në këtë javë, Tërbuni nuk ia ka dalë të marrë pikë ndaj Luzit kryesues dhe si rrjedhojë, ka dalë i mposhtur nga fusha e stadiumit “Ismail Xhemali” në fund të 90-minutave. Fatin e këtij takimi e ka vendosur një autogol i mesfushorit shkodran Bizi në minutën e 21-të. Pas këtij momenti, pukjanët provuan disa herë që ta barazojnë ndeshjen, por nuk ia dolën dot dhe si rrjedhojë humbën në shifrat minimale 0-1. Tashmë, Luzi vazhdon të kryesojë i vetëm renditjen edhe pas kësaj jave në kuotën e 20-pikëve, ndërsa Tërbuni ka mbetur i pozicionuar në vendin e gjashtë me vetëm 11-pikë.
Në duelin tjetër, Murlani i ka “prishur punë” Basanias, pasi ndeshja mes tyre u mbyll me shifrat e barabarta 0-0. Murlani ia doli që të merrte pikën e parë pas tetë javësh kampionat, por duhet thënë se ka qenë një ndeshje në të cilën futbollistët e Basanias ishin të pafat, pasi goditën tre shtylla, humbën një 11-metërsh dhe në fund u anullua edhe një gol për pozicion jashtë loje. Përfundimisht 0-0 dhe me këtë pikë, Basania ngjitet në kuotën e 10 të tillave dhe mban vendin e shtatë në renditje, ndërsa Murlani merr pikën e parë, por vazhdon të jetë i pozicionuar në fundin e tabelës së klasifikimit.
Ndërkohë, Veleçiku ka arritur të fitojë ndaj njërit prej ekipeve pretendente të Kategorisë së Dytë, pikërisht ndaj Sopotit të Librazhdit. Në ndeshjen e luajtur në Koplik, vendasit kanë fituar me rezultatin 3-2, një fitore që erdhi me përmbysje. Për Veleçikun, golat erdhën nga Pjetraçaj, Kaçaj dhe një autogol nga një futbollist i Sopotit. Tashmë me këtë fitore, Veleçiku ngjitet në kuotën e 12-pikëve dhe është i pozicionuar në vendin e pestë të renditjes.