Në Celtic Park, u prezantua libri me kujtime “Football, Freedom and Paradise”, “Futbolli, Liria dhe Parajsa” i kapitenit të ekipit tonë Kombëtar, Rudi Vata. Ish lojtari i Vllaznisë, Dinamos dhe më pas një sërë ekipesh deri në shkëlqimin tek Celltik në Skoci ka sjellë përmes këtij libri historinë e tij se si nga një vend diktatorial arriti që përmes sakrificave e meritës të jetojë në një botë të lirë e të bëhet një yll i futbollit. Në Amazonë, një prej siteve më të njohura për shitjen e librave online ku nuk gjendet tashmë për momentin asnjë kopje thuhet e “Futboll, Liri dhe Parajsë! Është autobiografia magjepsëse dhe frymëzuese e ish-futbollistit Rudi Vata, një njeriu që mposhti shtypjen shtetërore për të arritur nevojat më elementare njerëzore – lirinë e tij. I lindur në Shqipëri në vitin 1969, ai u rrit nën diktaturën shtypëse komuniste që sundoi vendin për dekada.
Në një regjim që kufizoi të gjitha liritë themelore të shoqërisë së qytetëruar, Rudi përcaktoi se, ‘Ti nuk zgjedh të lindësh nën një diktaturë, por ti zgjedh nëse do të jetosh nën të’. Rudi iu përkushtua futbollit – sportit që do t’i siguronte rrugën e tij drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Pasi luajti për vendin e tij në Francë në vitin 1991, ai dezertoi dhe kërkoi azil politik. Kështu filloi aventura që do ta çonte atë nëpër botë për të luajtur lojën e bukur, veçanërisht në një magji të suksesshme në Celtic FC, dhe për të jetuar si një njeri i lirë. Kjo nuk është vetëm një histori futbolli – është historia e një njeriu që luftoi për lirinë e tij dhe që deri më sot nuk e merr kurrë këtë liri si të mirëqenë”. Libri është botuar në gjuhën angleze dhe në mediat e vendeve të Mbretësisë së Bashkuar po bën një jehonë të madhe menjëherë pas daljes për publikun e gjërë. Një pjesë të kësaj historie të tij Rudi Vata e tregoi pak kohë më parë në emisionin “Star Kids” në Star Plus teksa u rrëfye për jetën e tij sportive dhe familjare.
Rudi Vata lindi më 13 shkurt 1969 në qytetin e Shkodrës dhe është një ish-futbollist profesionist i cili ka luajtur si mbrojtës. Vata i është bashkuar ekipit të Vllaznisë në moshë të re, duke bërë debutimin e tij në skuadrën e parë në vitin 1988. Nga Vllaznia vijoi tek Dinamo. Shumë shpejt u bë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit ndërsa mbajti edhe shiritin e kapitenit. Karriera e Vatës në futbollin perëndimor filloi në Francë në vitin 1991, kur kërkoi azil politik pas një ndeshjeje ndërkombëtare.
Vata luajti për Le Mans dhe Tours, përpara se të shkonte në ekipin e famshëm skocez Celtic nga viti 1993 deri më 1996. Ai u bë shqiptari i parë që fitoi një trofe në një vend të madh evropian kur fitoi Kupën e Skocisë në 1995 me Celtic. Vata vazhdoi të luajë edhe për Apollon Limassol, Energie Cottbus, Ahlen dhe u rikthye në Shqipëri me Tiranën në 2002. Kjo u pasua me ekipet Yokahoma dhe St Johnstone në 2004. Sa i përket kombëtares, Vata bëri debutimin e tij për Shqipërinë në një ndeshje kualifikuese të Kampionatit Evropian të majit 1990 kundër Islandës dhe realizoi gjithsej 59 paraqitje, duke shënuar 5 gola. Vata u tërhoq nga futbolli në 2005 pas një periudhe të shkurtër edhe me Partizanin. Që nga tërheqja n, Vata është bërë një agjent sportiv, i specializuar në futbollin e Evropës Lindore. Në vitin 2011 drejtoi ekipin e Vllaznisë si trajner ndërsa në 2014-ën kandidoi përballë Armand Dukës për President të FSHF, garë të cilën e humbi por kjo nuk e ndaloi që të vijojë të shpalosë mendimet e tij ndryshe për futbollin shqiptar. Është baba i dy fëmijëve ndërsa njëri prej djemve, Roco po ndjek rrugën e tij të futbollit. Pas paraqitjeve të mira në Celtic, Roco këtë verë firmosi me Uatford në Angli. Tashmë pritet që në një të ardhme historia e Rudi Vatës në këtë libër të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.