Diego Armando Maradona është ndarë nga jeta ditën e sotme. Një ditë e trishtë për të gjithë botën e sportit që ka humbur një legjendë të futbollit i cili la gjurmë në historinë e sportit më të ndjekur në botë.
Maradona këtë muaj ishte operuar në tru teksa duket se nuk ka mundur t’i rezistojë rekuperimit nga ndërhyrja. Sipas mediave të huaja, legjenda e futbollit pësoi arrest kardiak teksa ishte i shtruar me aparatura në shtëpinë e tij.
Diego Armando Maradona vetëm 30 tetorin e kaluar festoi 60-vjetorin e lindjes, dhe duket se ishte ditëlindja e tij e fundit. U lind në Lanus të Buenos Aires, në një familje të varfër si djali i vetëm pas katër motrave. U rrit profesionalisht në Argjentinë tek Argentina Juniors dhe më pas bëri kalimin tek Boca Juniors, aty ku tifozët e shohin si ‘Zot’.
Më pas në vitin e largët 1982 Maradona kaloi tek Barcelona, Napoli, Sevilla dhe për t’u rikthyer më pas për ta mbyllur sërish tek ekipi i zemrës, Boca Juniors. Gjithashtu ai shkëlqeu në arenën ndërkombëtare me Argjentinën që e drejtoi edhe si trajner.
Së fundmi ai ishte trajner i Gimnasia de la Plata, ekipi i fundit me të cilin do të kishte të bënte. ”Djaloshi i artë” nuk do të jetë më mes futbolldashësve duke lënë një thesar të paçmuar në fushë dhe përtej. Shumë e konsiderojnë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, teksa vetë ai si pasardhës të tij e konsideronte Lionel Messi-n.