Futbollisti shkodran Armando Vajushi është prezantuar si përforcimi i radhës tek Livorno, skuadra italiane që luan në Seria B. Lojtari shkodran mbyll kështu transferimin e tij nga Kievo, ku nuk mundi të luajë dot asnjë minutë, te një tjetër “stacion” italian, me shpresën se tashmë do të aktivizohet dhe futbolli në Apenine nuk do të jetë “mollë e ndaluar” për të. Në prani të menaxherit të vet, Sokol Haxhia, i cili e solli te Kievo në janar të këtij viti, pas eksperiencës së susksesshme në Bullgari me Liteks Lovech, Vajushi ka thënë fjalët e para si lojtar i Livornos:

“Dua të demonstroj në këtë klub sa vlej dhe të rifitoj një vend në kombëtare. Me Kievon nuk luajta dot, ndaj vendosa të kërkoj një klub tjetër. Fatmirësisht, u bë i mundur huazimi te Livorno. Kam shumë falënderime për të gjithë tifozët e Livornos, për ngrohtësinë që kanë treguar ndaj meje, me mesazhet që më kanë dërguar këto ditë në rrjetet sociale, dhe shpresoj t’ua shpërblej në fushën e lojës. Tani shoh përpara, forca Livorno,” – tha shkodrani gjatë prezantimit.Livorno do të militojë në Seria B në sezonin e ri dhe pritet të ketë objektiva të rëndësishme për t’u ngjitur në kategorinë më të lartë të futbollit italian. Për këtë arsye, ajo po kërkon lojtarë që luajnë mirë në repartin ofensiv dhe shkodrani 24 vjeçar ishte i parapëlqyer për të. Nga sa mësohet prej burimeve pranë vetë lojtarit, edhe për këtë rast ka ndërhyrë trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Ai, duke parë që mesfushori i kombëtares kuqezi nuk po gjen hapësirat e duhura te Chievo, i ka sugjeruar Vajushit të kalojë në një ndonjë ekip tjetër, ku mund të ketë më shumë hapësira. Madje, ka qenë vetë De Biazi, ai që ka ndërhyrë te Livorno, megjithatë lëvizja e tij zgjati pak kohë deri në konkretizim.

Artikulli paraprakEUROZONA MIRATON KËSTIN E PARË 86 MLD EURO PËR GREQINË
Artikulli tjetërVLLAZNIA NË SHPRESË TË VENDIMEVE TË KRYETARES VOLTANA ADEMI