Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

Sipas BE-së, për këtë vendim, që hyn në fuqi më 1 shkurt, nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian më 1 shkurt.

BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga blloku.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja.

Artikulli paraprakSOT HYN NË FUQI VENDIMI PËR HEQJEN NGA QARKULLIMI TË DINARIT SERB NË KOSOVË
Artikulli tjetërSHTYRJA E SEANCËS PËR BERISHËS, AVOKATI I ISH-KRYEMINISTRIT: HERA E 4 QË KËRKOJMË PËRJASHTIMIN E GJYQTARES, AJO NUK DËGJON