UEFA ka zbardhur kalendarin e ndeshjeve të fazës para-eliminatore të Champions League në futsall, teksa në Grupin C merr pjesë edhe kampionja në fuqi e Shqipërisë, Tirana. Bardheblutë do të kenë përballë në këtë grup një ekip finlandez, një ekip gjerman dhe një tjetër nga Islanda. Të gjitha këto sfida do të luhen në sallën e Parkut Olimpik “Feti Borova” në Tiranë në datat 21, 22 dhe 24-gusht. Sfida e parë do të jetë ajo mes ekipit finlandez dhe islandez, që do të nisë në ora 17:00 më 21-gusht, teksa në të njëjtën ditë në orën 20:45 po në sallën e Parkut Olimpik, do të luhet edhe sfida e dytë mes Tiranës dhe ekipit gjerman. Më 22-gusht do të luhen dy sfidat e tjera të grupit, mes ekipit gjerman dhe atij finlandez në ora 17:00 dhe Tirana ndaj ekipit islandez, që starton në ora 20:45.

Ndeshjet e treta të grupit do të luhen më datë 24-gusht. Takimi mes ekipit gjerman dhe atij islandez është planifikuar të nisë në ora 17:00 dhe disa orë më vonë, në 20:45 do të luhet sfida mes Tiranës dhe ekipit finlandez. Në këtë fazë do të marrin pjesë 32-skuadra europiane të ndara në tetë grupe, me katër ekipe secila dhe në turin tjetër do të kualifikohen tetë ekipe. Më konkretisht, tetë skuadrat e renditura në vendet e para. Ky është edicioni i katërt rradhazi që Federata Shqiptare e Futbollit pret ndeshjet e grupit para-eliminator të Champions League në futsall, aty ku merr pjesë edhe kampionja e Shqipërisë, Tirana.

Artikulli paraprakTË SHTUNËN TESTI I RRADHËS PËR VLLAZNINË
Artikulli tjetërKABLLOT E INTERNETIT, BASHKIA PARALAJMËRON KOMPANITË