Ministria e Brendshme ka publikuar listën me emrat e kandidatëve për të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut. 15 emra janë listuar si garues dhe kanë dorëzuar kandidaturën e tyre. Ndërkohë që Ministria e Brendshme ka bërë me dije edhe kriteret por edhe dokumetet të cilat kandidatët duhet ti plotësojnë. Emrat janë, Adriatik Tafçiu, Altin Mena, Ardian Çipa. Gentjan Shehaj, Hajrulla Xhivini, Ibrahim Disha, Idajet Faskaj, Ilir Proda, Lutfi Minxhozi, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Sami Rasha, Shemsi Prençi dhe Skënder Hita.
Njoftimi i Ministrisë së Brendshme:
Lista me kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
Në vijim të thirrjes për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, aplikimet e përcjella për këtë shpallje, sipas rendit alfabetik janë:
Adriatik Tafçiu
Altin Mena
Ardian Çipa
Gentjan Shehaj
Hajrulla Xhivini
Ibrahim Disha
Idajet Faskaj
Ilir Proda
Lutfi Minxhozi
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Sami Rasha
Shemsi Prençi
Skënder Hita
Thirrje për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
APLIKANTI DUHET TË PLOTËSOJË KËTO KRITERE
Kritere të përgjithshme:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI
Kërkesë me shkrim e aplikantit drejtuar Ministrit të Brendshëm për të shprehur interesin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
a) një jetëshkrim i përditësuar;
b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times Neë Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;
c) një vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;
ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;
g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
i) një vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
j) një vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit.
VLERËSIMI Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024 (shkarko Udhëzimin)
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.
Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore.
Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.
Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike
Adresa postare: Ministria e Brendshme, Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nd. 1, Tiranë 1001 Tiranë, Shqipëri
Adresa elektronike: Ministria.Brendshme@mb.gov.al
Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri në 18 shtator 2024