Festivali Mbarëkombëtar i Humorit po pritet me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku shkodran. Shkodra hap siparin për herë të parë për Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit, një ngjarje që pritet të kthehet në traditë dhe të sjellë buzëqeshje për të gjithë adhuruesit e artit dhe humorit. Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci ka takuar trupën e aktorëve të Shkodrës duke i siguruar për mbështetjen në këtë festival i cili pritet të ketë nje sukses të jashtëzakonshëm duke parë edhe interesin e lartë të publikut.
Gjatë datave 11-15 dhjetor, çdo natë, Teatri “Migjeni” do të shndërrohet në epiqendrën e të qeshurave dhe kreativitetit artistik, duke mbledhur emrat më të njohur të humorit nga e gjithë Shqipëria. Shkodra, si djepi i kulturës dhe humori shqiptar, rikujton me këtë festival rolin e saj të rëndësishëm si një qendër e artit kombëtar. Ky event është një mundësi për të përjetuar jo vetëm të qeshura, por edhe për të festuar traditën e humorit që ky qytet e ka të rrënjosur thellë në historinë e tij.