Në seancat plenare të janarit pritet që ndryshimi i ligjit për tokat të miratohet dhe të marrë kështu një formë zyrtare duke i ardhur në ndihmë kryesisht banorëve të zonave malore.

Para pak kohësh prefektura e qarkut Shkodër bëri një propozim për ndryshim të ligjit “për vetëqeverisjen vendore” që i hap rrugë paisjes me çertefikatë pronësie të gjithë atyre pronarëve të tokave ku nuk nuk ka prekur ligji 7501 dhe ku nuk ka konflikte pronësie. Nga sa bëhet e ditur prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani ndodhet në Tiranë në disa takime me ministrat dhe ekspertë të qeverisë për të konkluduar përfundimisht ndryshimin e ligjit “për vetëqeverisjen vendore”. Pas miratimit që pritet të bëhet gjatë janarit kryesisht përfitojnë të hipotekojnë tokat e tyre nga ndryshimi i ligjit banorët e zonave malore që deri tani nuk kanë patur një zgjidhje edhe pse tokën e kanë të ndarë me kufijtë e vjetër dhe jo ligjin 7501. Ky ndryshim i ligjit i jep kompetencë këshillave bashkiak për të dhënë të drejtën që më pas të hipotekohen tokat e banorëve të zonave malore. Kur u kërkua që ligji të bëhej në favor të qindra qytetarëve që kanë vuajtur këtë ngërç, ministri i drejtësisë Ylli Manjani dha një përgjigje pozitive për prefekturën duke dhënë kështu një mbështetje për zgjidhjen përfundimtare. Në vazhdimësi pritet që të ketë edhe disa takime të gjëra me shumë aktorë të ndryshëm për të dhënë mendimet e tyre. Kjo po bëhet pas kërkesave të shumta dhe duke qenë se dokumentacioni apo edhe marrja e tapive për tokat është e vetmja mënyrë për të sjellë zhvillim në zonat malore. Edhe pse një prej çështjeve më të vështira është dashur të kalojnë 25 vite që ky ngërç të shohë dritën jeshile. Institucionet e varësisë në Shkodër nga sa mësohet kanë nisur punën për përgatitjen e dokumenteve që nevojiten dhe shumë shpejt pritet të dorëzohen në komisionin qeveritar që më pas ndryshimi i ligjit për “vetëqeverisjen vendore” të kalojë në parlament për miratim.

Artikulli paraprakNDOTJA, JASHTË QARKULLIMIT AUTOMJETET E “VJETRA”
Artikulli tjetërDJEGIA E MBETURINAVE, “EFEKTE KANCEROGJENE”