E premtuar në fushatën e zgjedhjeve të shkuara, reforma që parashikon të shkrijë në një institucion të vetëm Hipotekat, ALUZINI-n dhe Agjencinë e Pronave do të prezantohet në muajin Shtator.
“Në shtator jemi gati të lançojmë reformën që është punuar që në verën e shkuar, pa u krijuar ende qeveria e re, reformën për të cilën jemi zotuar të bashkimit të institucioneve të pronës. Për të pasur një agjenci kombëtare të pronës në mënyrë që të mos shkosh të ALUIZNI ta marrësh e pastaj te hipoteka s’ta jep, për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, po për të pasur një institucion, një drejtim.
Kjo reformë do të jetë rrënjësore, do të racionalizojë burimet njerëzore që kemi në dispozicion në këto institucione, do të mundësojë një ecuri shumë më të shpejtë dhe efikase të modernizimit të brendshëm të këtyre institucioneve.
Do të krijojë brenda këtij institucioni të ri një strukturë apeli në mënyrë që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë në gjykatë po të apelojnë brenda institucionin në një strukturë që është autonome, që do të ulë në mënyrë drastike kohën mundimet dhe mbi të gjitha do të ulë në mënyrë drastike gjithë atë dëshpërim që krijohet”.