“Shqipëria kërkon mbrapsht “vrasësin e policit”, me këtë titull e nis artikullin e saj për të shumë kërkuarin e drejtësisë shqiptare Arben Frroku, e përditshmja holandeze “Telegraaf”.
Frroku pritet të dalë para Gjykatës së Amsterdam për akuzën e falsifikimit të dokumenteve më 28 Korrik. Dy javë më vonë, gjykata do të japë verdiktin e saj për këtë akuzë, si dhe për ekstradimin ose jo të tij drejt Shqipërisë. Sipas gazetës holandeze, Froku pritet që ta kundërshtojë ekstradimin e tij. Nga ana tjetër, “Telegraaf” shkruan se Holanda do ta ekstradojë Frrokun drejt vendit tonë vetëm nëse i garantohet siguria. Në shkrimin e saj gazeta holandeze, teksa shkruan për akuzën e vrasjes së Kryekomisar Dritan Lamaj në Shkurt të 2013 – ës, për të cilën Arben Frrokun është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri, përshkruan edhe për rrugën e ndjekur prej tij për të mbërritur në Holandë. Ndër të tjera, “Telegraaf” shkruan se kjo nuk është hera e parë që persona me të shkuar kriminale nga Italia, Belgjika dhe Shqipëria arrestohen në Holandë. Sipas gazetës, këta persona shpresojnë që të jetojnë me identitet të rremë në këtë vend, duke i shpëtuar kështu dënimit në vendet e tyre. Arben Frroku u arrestua 6 Mars në Schipol, pranë Aeroportit të Amsterdamit, me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Tsepa. Autoritet hollandeze, pas verifikimeve, arritën në përfundimin se ai ishte Arben Frroku, i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e ish – Kryekomisarit Dritan Lamaj, më 24 Shkurt të vitit 2013. Interpol Haga, pas shkëmbimit të informacionit, më 28 Prill 2016 ka lajmëruar autoritetet shqiptare se Arben Frroku rezultonte i ndaluar.