Gazetari shpëton live shoferin e kamionit të bllokuar nga përmbytjet

Një gazetar i një televizioni lokal në Houston i ka shpëtuar jetën një shoferi kamioni i cili ishte bllokuar në mjetin e tij nga përmbytjet. E gjithë ngjarja ndodhi ndërsa gazetari raportonte live për stuhinë tropikale më të rëndë që ka prekur qytetin më të madh në Teksas dhe i katërti më i madh në Shtetet e Bashkuara. Brandi Smith i ‘KHOU 11 News’ dhe kameramani Mario Sandoval zbuluan kamionin e bllokuar në disa metra ujë ndërsa po raportonin për Uraganin Harvey. Ata njoftuan menjëherë ekipet e shpëtimit të cilët nxorën nga kamioni shoferin. Zyrtarët thonë se kjo është stuhia më e madhe në historinë e shtetit të Teksasit. Një sasi rekord reshjesh ka rënë në Huston, rreth 75 cm shi, duke i kthyer rrugët në lumenj. Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë njoftoi të hënën herët se po fillonte shkarkimin e kontrolluar të dy rezervuarëve, për të parandaluar përmbytjet e mëtejshme. Shkarkimi i ujit do të vazhdojë për disa javë. Qindra operacione shpëtimi janë ndërmarrë në të gjithë zonën me ekipe të pajisur me helikopterë, anije dhe kuaj nëpër ujërat e përmbytjeve. Vullnetarët u janë bashkuar policisë, si dhe ekipeve të zjarrfikësve dhe atyre mjeksore. Po ndihmojnë gjithashtu 3 mijë anëtarë të Gardës Kombëtare.

Artikulli paraprakPOLICIA GJERMANE BASTISJE SHTËPISH E ZYRASH
Artikulli tjetërZJARRI RREZIKON BANESA DHE MINIERAT, DISA FAMILJE TË EVAKUUARA