Gazetarja dhe lektorja e njohur amerikane Julia Wallac, zhvilloi me datën 14. 04. 2022 në sallën e Laboratorit të Gazetarisë, një leksion të hapur me studentët e programit të studimit Bachelor në “Gazetari-Komunikim” në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Julia Wallac është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare për gazetarinë dhe gjithashtu është autore studimesh shkencore, lektore në Shkollën e Gazetarisë “Walter Cronkite” në SHBA. Ajo është kryetare e Frank Russell në Shkollën e Gazetarisë “Walter Cronkite”.
Gjithashtu ajo ka qenë redaktorja e parë femër e Atlanta Journal-Constitution, redaktore e USA TODAY, Chicago Sun-Times. Gjatë pesë viteve ka drejtuar Cox Media Group Ohio dhe është bashkautore e librit: “Nuk ka vend për të qara në redaksi”.
Në qendër të leksionit dhe diskutimeve me studentët ishin: sfidat e gazetarisë dhe në veçanti sfidat e grave në ushtrimin e profesionit; sfidat e informimit sot në kushtet e zhvillimit teknologjik dhe rëndësia e gazetarisë investigative.
“Nuk ka rëndësi se ku punoni, parimet e gazetarisë së besueshme janë të njëjta: përkushtimi për profesionin, paanësia dhe mendimi i pavarur”, u tha Wallac, ndër të tjera studentëve. Ajo foli gjithashtu edhe për librin ku është bashkautore: “Nuk ka vend për të qara në redaksi. Çfarë kanë mësuar gratë mbi atë që duhet për të udhëhequr”.
Wallac foli me studentët për sfidat me të cilat janë përballur dhe vazhdojnë të përballen gratë në media në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studentët patën mundësi të njihen me raste konkrete dhe shembuj të sjellë nga profesoresha e gazetarisë Julia Wallac.
Më tej diskutimet kanë vijuar me pyetje nga auditori, pasi studentët kërkonin informacion mbi shkollat e gazetarisë dhe profesionin e gazetarit në SHBA.
Ky leksion i hapur u mundësua nga qendra “Albanian Center For Quality Journalisem” mbështetur nga ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Departamenti Letërsisë, Sektori i Gazetarisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me koordinimin e pedagogut dr. Ardian Hoti