Kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP).
Hapja e kanaleve për shtrirjen e tubacioneve ka nisur nga Fieri, ndërkohë që gazsjellësi përshkon territorin shqiptar nga Fieri e deri në Devoll. Kryeministri Edi Rama u shpreh në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të TAP, se ky gazsjellës sjell në ekonominë shqiptare rreth 1 miliard euro. Kryeministri vlerësoi se ky projekt gjeneron 1700 vende të reja pune me paga deri në 600 euro. “Ky gazsjellës sjell avantazhe të panumërta që e tejkalojnë misionin e tij bazë. Punimet vazhdojnë prej dy vitesh me një ritëm shumë të kënaqshëm. Mjafton të them disa prej tyre, TAP ka rehabilituar afro 100 km rrugë, në zonat e Korçës, Çorovodës dhe Fierit. Ka ndërtuar 2 ura të reja, dhe ka rehabilituar 42 ura të tjera. U ka dhënë punë më shumë se 1700 personave, prej të cilëve, 90% janë shqiptarë me një pagë mesatare 600 euro. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, është përditësuar dhe rritur numri i përfituesve nga shpronësimet e truallit ku do të kalojë gazsjellësi. Mjafton të theksoj që sëbashku kemi plotësuar dokumentacionin për 13 mijë parcela me 17 mijë ha, me 25 mijë përfitues. Sot TAP hyn në një fazë shumë të rëndësishme të punimeve të tij. Janë 215 km përmes të cilave do të përshkojë Shqipërinë. Në aspektin e atyre avantazheve që ne kemi nga ky operacion, numri i të punësuarve do të rritet në 4200. Dhe vetëm nga procesi i ndërtimit do të gjenerohen në 2017-ë, 57 milionë euro për Prodhimin e Brendshëm Kombëtar të Shqipërisë. Rrjedhja e gazit do të nisë në vitin 2020. TAP pritet të rrisë 161 mln euro në vit Prodhimin e Brendshëm Kombëtar, ndërsa ekonomia jonë në 20 vitet e ardhshme do të përftojë 1 miliard euro vetëm nga ky projekt”, u shpreh Rama. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, u shpreh në fjalën e tij se për ndërtimin e TAP sjell përfitime edhe për Bashkimin Europian. Ai kërkoi nga BE mbështetjen me fonde të vendeve të Europës Juglindore. “Shpresoj që ky projekt të sjellë të mira jo vetmë për rrajonin, por patjetër BE, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Europës Juglindore për interkoniktivitetin e këtij rajoni. Ky projekt është një tullë shumë e rëndësishme për këtë infrastrukturë të sigurisë”, u shpreh Gjiknuri.