Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për mediat u shpreh se rritja e inflacionit është rreziku kryesor, dhe se inflacioni shënoi rritje në prill dhe në maj.
Ndërsa u ndal tek amnistia fiskale, Sejko theksoi se nuk duhet të lejohet që nëpërmjet saj të pastrohen paratë.
“Vendimmarrja në drejtim të rritjes së normës së interesit do të varet nga inflacioni. Modelet ndryshojnë. Jemi të sigurt me parashikimin që do të kemi, një rritje ekonomike me 3 deri në 4 %. Shpresojmë se do të kemi efekte pozitive. Sa i përket kursit të këmbimit, ne vëmë re se sjellja e kursit të këmbimit është normal. Bankat po këmbejnë dhe po tregtojnë normalisht. Kemi përcaktuar një ligj brenda rregullores se kur banka qendrore ndërhyn. Lidhur me amnistinë fiskale , e shohim me kosto , përfitimet kryesore janë përmirësimi i të ardhurave. Kryesore është formalizimi i ekonomisë, pra rritjen e numrit të llogarive bankare, pra në drejtim të përfshirjes financiare ka edhe kosto , nuk duhet të lejojmë të pastrohen para nëpërmjet amnistisë fiskale dhe nuk duhet të krijohet koncepti i amnistive të vazhdueshme fiskale. Të gjithë institucione duhet të rrisin rregullat fiskale, nëse amnistia do të kryhej pa ndërmarrë këto masa , nuk do të ishte eficente…Në detaje ligji do të analizohet dhe përgjigja do t’i jepet me shkrim Ministrisë së Financave.”, tha ai.
Pjese nga fjala:
Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave në tremujorin e parë, duke ofruar një faktor shtesë në rritjen e inflacionit. Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në vend zbriti në nivelin 11.3% në tremujorin e parë, ndërsa ritmi i rritjes së pagave në sektorin privat shënoi vlerën 10.5%. Megjithëse rritja e pagave u ndikua edhe nga masat e marra për formalizimin e tregut të punës, ajo sugjeron se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presione për rritjen e kostove të prodhimit në vend.
Duke ju rikthyer kontekstit makroekonomik, rritja e tremujorit të parë pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Zhvillimet financiare në vend vijojnë të karakterizohen nga prime të kontrolluara rreziku, likuiditet i bollshëm, kurs i qëndrueshëm këmbimi dhe kredi në rritje. Stimuli ynë monetar është përcjellë në norma të ulëta interesi për financimin e sektorit privat. Paralelisht me të, rritja e kërkesës për kredi dhe bilancet e shëndetshme të sektorit bankar, janë përkthyer në rritje të qëndrueshme të kreditimit. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat është forcuar më tej, duke shënuar vlerën 13.8% në muajin maj. Kjo rritje ishte e pranishme si në segmentin e bizneseve dhe në atë të individëve, duke i shërbyer si financimit të konsumit dhe investimeve ashtu dhe nevojave për kapital qarkullues.
Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend.
Megjithatë, përditësimi i parashikimeve tona sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm. Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.
Nga ana tjetër, inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Projeksionet e skenarit bazë parashikojnë një normalizim gradual të politikës monetare në periudhën në vijim. Shpejtësia e normalizimit do të synojë një harmonizim sa më të mirë të intensitetit të stimulit monetar me intensitetin e presioneve afatmesme inflacioniste.
Balanca e rreziqeve mbi inflacionin vijon të mbetet në kahun e sipërm. Në veçanti, goditjet e forta shtesë të ofertës apo shfaqja e efekteve zinxhir të raundit të dytë, do të forconin më tej presionet inflacioniste. Në të kundërt, një ecuri më negative ekonomike e partnerëve tanë tregtarë apo një zgjidhje e shpejtë e konfliktit në Ukrainë do të reduktonte presionet inflacioniste.
***
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nivelet e larta të e presioneve inflacioniste janë rreziku primar mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit.
Për këtë arsye, në respektim të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%;
të rrisë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%; si dhe
të rrisë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.
Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm. Në të njëjtën kohë, ky normalizim nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike në këtë horizont.
Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim. Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.
Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.