Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën për masakrën e Gërdecit, ndërsa kësaj radhe shkak për shtyrjen është bërë mungesa e një prej ekspertëve. Eksperti Ymer Stafa kishte njoftuar gjykatën se mungonte për arsye shëndetësore, por prokurori Klodian Braho dhe avokati i Mediut kërkuan praninë e tij.
Prokurori Klodian Braho: Nuk ka raport mjekësor për ekspertin që mungon dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të jetë në seancë. Eksperti të thirret në gjykatë dhe të japë mendimin e tij. Ekspertët të marrin edhe pyetjet e reja dhe të formulojnë një dokument të vetëm. Të kemi edhe ne një kopje të pyetjeve që të jemi të përgatitur në seancë. Ekspertët të marrin kohën e nevojshme.
Avokati Henrik Ligori: Është e domosdoshme prania e ekspertit të 5, duhet të gjithë për tu përgjigjur. Të marrin kohën e nevojshme që të realizohet përgjigjja e të gjithëve.
Në kushtet kur një prej 5 ekspertëve mungonte, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që ta shtyjë seancën për më datë 31 korrik. Mbrojtja e Mediut ka depozituar pyetje për 5 ekspertët dhe GJKKO u la afat 2 javë kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve me shkrim. Në total janë 113 pyetje për të cilat do duhet të përgjigjen ekspertët, të cilët duhet t’ia bashkëngjit aktit të ekspertimit dhe të deklarojnë se janë nënshkruar në mënyrë kolegjiale.
Vetë ish-ministri i Mbrojtjes mungoi seancë, ndërsa nuk ishte paraqitur as avokati i tij Ardian Visha. Mediu u përfaqësua vetëm nga avokati Henrik Ligori, pas kërkesës së prokurorit Braho që seanca të vazhdonte në mungesë të Mediut.
Kujtojmë që seanca e 10 korrikut u ndërpre pas debateve në sallë për natyrën e pyetjeve nga avokati i Fatmir Mediut. Ardian Visha debatoi me gjyqtaren Irena Gjoka për presion ndaj ekspertëve dhe gjyqtarja urdhëroi nxjerrjen e tij jashtë sallës.