Gërmimet arkeologjike në qytetin antik të zbuluar në Bushat të Vau Dejësit që dyshohet se i përket periudhës ilire kanë hyrë në vitin e 5-të nga grupi shqiptaro-polak. Pas zbulimit të portës hyrëse në 2018-ën tashmë gërmimet janë fokusuar në pjesën e mesme dhe janë zbuluar disa pjesë të reja që i përkasin mureve rrethuese dhe një salloni. Bashkëdrejtuesi shqiptar nga qendra arkeologjike Saimir Shpuza thotë se mendohet se ky qytet i përket shekullit të 4 para erës së re. Edhe pse nuk është vërtetuar ende ka dyshime se mund të jetë qyteti ilir i Basanias i pazbuluar ende.
Arkeologu polak Bartosz Wojciechowski (Bartosh Vojçeçovski) thotë se ky qytet i lashtë është shumë premtues për nevojiten shumë vite për të dalë në përfundime.
Pjesë e këtij projekti është edhe përgjegjësi i parqeve arkeologjike në drejtorinë rajonale të kulturës Helidon Sokoli i cili shprehet se ky vend antik po përgatitet që brenda kësaj vere të shpallet zonë e mbrojtur.
Projekti “Shkodra” i gërmimeve arkeologjike do zgjasë edhe për disa vite dhe do jetë i fokusuar në zonën e Bushatit për të mësuar më shumë mbi këtë thesar që do ketë vlerë kulturore e historike nëse arrihet që të gjenden monedha, pllaka varrezash apo të tjera me mbishkrime që përkojnë edhe me dokumentet shkencore dhe historike të periudhës ilire.