Nga pushimet dimërore në Alpet e Europës, te qytetet e dekoruara plot drita dhe tradita, deri tek arratisjet në plazhet ekzotike për ata që kërkojnë një Krishtlindje ndryshe. Ku do t’i kalojnë shqiptarët festat?

Festat e fundvitit janë një periudhë ku shumë shqiptarë zgjedhin të udhëtojnë, qoftë për pushime çlodhëse apo për të vizituar familjarët jashtë vendit. Tendencat e udhëtimeve këtë vit duket se janë të ndikuara nga disa faktorë kryesorë si ekonomia, çmimet e biletave dhe preferencat e reja të pushuesve.

Për festat e fundvitit, shqiptarët parapëlqejnë kryesisht destinacione rajonale, falë afërsisë dhe çmimeve të leverdishme. Disa nga më të kërkuarat janë Mali i Zi (Budva, Kotor), Maqedonia e Veriut (Mavrovë), Kosova (Brezovicë, Prevallë) dhe Kroacia (Dubrovnik). Këto destinacione tërheqin për festimet e organizuara, terrenet për ski dhe ofertat me kosto të ulët, duke filluar nga 39 euro për një paketë dyditore.

Tendenca për destinacionet me borë është rritur ndjeshëm, veçanërisht nga të rinjtë që preferojnë ski dhe atmosferë dimërore. Ndërkohë, për ata që kërkojnë luks dhe klimë të ngrohtë, Dubai është shfaqur si një destinacion “new entry”, i popullarizuar për festime luksoze.

Paketat për rajonin variojnë nga 55 deri në 160 euro, ndërsa për vendet më të largëta si Dubai, çmimet shkojnë mbi 1000 euro. Ndër faktorët që ndikojnë në zgjedhjet e shqiptarëve janë buxheti, afërsia dhe preferenca për udhëtime me makinë ose avion.

Sipas komunikimeve me agjencitë në kryeqytet, vëmendje të veçantë për rezervime ka pasur Vjena, Kolmari, Praga, Amsterdami, Bukureshti dhe Parisi, e që ndjekin ditën e Krishtlindjes. Çmimet për këto destinacione raportohen në rreth 170 euro mesatarisht për person, dy net.

Ndërsa një udhëtim tjetër i preferuar është Milano-Komo-treni St.Moritz, me trenin Bernina që udhëtohet nga Italia drejt Alpeve të Zvicrës, me kosto rreth 350 euro për person, për 3 net. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj tendence drejt Europës është edhe diversiteti i zgjedhjeve.

Nëse disa shqiptarë zgjedhin qytete të mëdha europiane për të festuar me stil dhe elegancë, të tjerë zgjedhin qytete bregdetare si Barcelonë, Nisë, apo Venecia, ku klima e butë ofron një eksperiencë të veçantë festive.

Destinacionet popullore

Vendet si Italia, Greqia dhe Turqia vazhdojnë të mbeten ndër më të preferuarat nga shqiptarët për shkak të afërsisë, kulturës së ngjashme dhe lehtësive të shumta në organizimin e udhëtimeve.

Italia dhe Greqia janë tërheqëse sidomos për ata që kërkojnë një kombinim të mirë të traditave festive dhe çmimeve të përballueshme, ndërsa Turqia ofron luks dhe komoditet për ata që kërkojnë një përvojë ndryshe.

Në Europën Perëndimore, qytete si Vjena, Praga dhe Parisi spikasin për tregjet tradicionale të Krishtlindjes dhe zbukurimet që krijojnë një atmosferë magjike. Ndërkohë, për ata që preferojnë pushime më të ngrohta dimërore, Dubai dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet.

Brenda Shqipërisë, qytetet si Korça dhe Berati po tërheqin gjithnjë e më shumë pushues vendas dhe turistë të huaj. Korça me panairin e saj të fundvitit dhe Berati me bujtinat tradicionale ofrojnë një kombinim unik të kulturës dhe atmosferës festive.

Sa i përket rajonit, faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre vendeve.
Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore.

Ndikimi i ekonomisë

Rritja e kostos së jetesës ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si shqiptarët planifikojnë pushimet e fundvitit, duke u përqendruar në zgjedhje më ekonomike dhe praktike. Familjet po zgjedhin destinacione më pranë vendit ose udhëtime më të shkurtra, për të kufizuar shpenzimet dhe për të menaxhuar më mirë buxhetin e tyre.

Një ndër faktorët kryesorë që po ndikon në këto vendime është rritja e çmimeve të biletave ajrore. Veçanërisht në destinacionet më të kërkuara gjatë periudhës festive, çmimet janë rritur në mënyrë të ndjeshme, duke bërë që shumë individë dhe familje të shqyrtojnë alternativa të tjera.

Transporti tokësor po shfaqet si një zgjedhje më e përballueshme, duke përfshirë autobusët, trenat dhe makinat private, të cilat mund të jenë më të leverdishme për ata që udhëtojnë me grup ose në distanca të afërta.

Nga ana tjetër, agjencitë turistike po përshtaten me këtë realitet të ri ekonomik. Ato raportojnë rritje interesi për paketat me kosto të ulët, të cilat përfshijnë akomodim dhe transport të kombinuar me çmime më të ulëta. Gjithashtu, rezervimet në grup po bëhen gjithnjë e më popullore, duke i lejuar udhëtarët të përfitojnë zbritje dhe kursime domethënëse.

Përtej transportit dhe akomodimit, rritja e përgjithshme e çmimeve ka ndikuar edhe në mënyrën se si shqiptarët shpenzojnë gjatë festave. Në vend të restoranteve luksoze ose dhuratave të kushtueshme, shumë familje po orientohen drejt zgjidhjeve më të thjeshta, si gatimi në shtëpi ose dhurata simbolike që kanë më shumë vlerë emocionale sesa monetare.

Në tërësi, ndikimi i ekonomisë është i dukshëm në çdo aspekt të organizimit të pushimeve të fundvitit, duke reflektuar një qasje më pragmatike dhe të kursyer ndaj festimeve.

Si ka ndryshuar qasja?

E gjithë periudha e pandemisë së COVID-19 ka sjellë një ndryshim të thellë në mënyrën se si shqiptarët i planifikojnë dhe u qasen udhëtimeve, përfshirë ato të fundvitit. Ndërsa dikur rezervimet në minutën e fundit ishin një normë e zakonshme, sot ka një tendencë të qartë për planifikim afatgjatë.

Shumë njerëz fillojnë të organizojnë pushimet disa muaj paraprakisht për të përfituar nga çmimet më të ulëta dhe për të siguruar vendet e dëshiruara në akomodim dhe transport, sipas të dhënave të marra nga agjenci të ndryshme në kryeqytet. Ky ndryshim tregon një qasje më të kujdesshme dhe të strukturuar ndaj udhëtimeve.

Për më tepër, ka një orientim në rritje drejt përvojave të veçanta që shkojnë përtej destinacioneve tradicionale dhe të zakonshme. Shqiptarët po tregojnë më shumë interes për të përjetuar diçka autentike dhe për të krijuar kujtime unike.

Pushuesit kërkojnë aktivitete që i lejojnë të lidhen më ngushtë me kulturën dhe traditat lokale të vendit ku udhëtojnë, si eksplorimi i kuzhinës autentike, pjesëmarrja në festivale lokale, vizitat në fshatra të largët ose të izoluar dhe përvoja që lidhen me natyrën, si kamping ose ecje në shtigje malore.

Rrjetet sociale, si Instagram dhe TikTok, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë transformim. Ato nuk janë vetëm platforma për ndarjen e kujtimeve, por edhe burime kryesore frymëzimi dhe informimi.

Shpesh, edhe krahasimi social. Postimet dhe sugjerimet nga influencues të njohur, si vendas ashtu edhe të huaj, kanë një ndikim të madh në zgjedhjet e pushuesve. Përshtypjet vizuale dhe videot që promovojnë destinacione unike, restorante të veçanta ose përvoja të paharrueshme janë bërë shtytje kryesore për eksplorimin e vendeve më pak të njohura, por me potencial të madh turistik.

Edhe këtë vit…Babagjyshi!

Eksplorimi i rajoneve të panjohura dhe të magjishme, si Lapland dhe qyteti i Rovaniemit, ka bërë që shqiptarët të kthehen nga destinacionet e zakonshme dhe të zgjedhin një aventurë të re në vendet që dikur shiheshin si më shumë legjenda se sa realitet. Ky është viti i dytë që një destinacion i tillë u vendos në axhendën e të gjithë agjencive turistike në vend.

Një ndjenjë misteri dhe kureshtjeje, e mbështetur nga një paketë e veçantë që po qarkullon në shumë agjenci, po shtyn shqiptarët drejt këtyre destinacioneve të njohura për natyrën e tyre të veçantë dhe historinë e pasur.

Lapland, me peizazhet e saj të bardha, është bërë tërheqës për ata që dëshirojnë të përjetojnë një festë të fundvitit më ndryshe. Në këtë rajon të Laponisë së Finlandës, vendi i famshëm i Babagjyshit dhe i Elfëve dhe ku slitat tërhiqen nga qentë husky, po bëhet një destinacion i preferuar për familjet dhe çiftet që kërkojnë një përvojë të jashtëzakonshme festive.

Rovaniemi, qyteti kryesor i Lapland dhe vendi ku ndodhet ‘zyra’ zyrtare e Babagjyshit, është një qytet i vogël, por i shpërndarë me mrekulli natyrore dhe atmosferë festive. Nga Shqipëria është një destinacion që bëhet me tranzit dhe që ka një çmim më të kripur, por po preferohet.

Një varg aktivitetesh dhe eventesh specifike, përfshirë qendrën e qytetit të shndërruar në “Vilën e Babagjyshit” ka bërë që ky destinacion të bëhet i preferuar, pohojnë nga agjencia turistike Ilirida Travel.

Kjo tendencë e zgjedhjes së destinacioneve në rajone të panjohura ka ndikim thelbësor në mënyrën se si shqiptarët po e shohin aventurën dhe festën e fundvitit, por domosdoshmërisht edhe në ‘kuletën’ e tyre. Sipas agjencive, kostoja për këtë udhëtim fillon nga 900 euro për person, për 3 net.

Fundvit në Shqipëri apo jashtë?

Ndërsa shumë shqiptarë zgjedhin të udhëtojnë jashtë vendit, një pjesë gjithnjë e më e madhe po e kthen vëmendjen nga vendet turistike brenda Shqipërisë. Hotelet në Jug të vendit, bujtinat në Alpet Shqiptare dhe resortet në periferi të qyteteve po ofrojnë paketa të posaçme festive me aktivitete tradicionale dhe darka speciale për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.

Sipas burimeve në treg, Korça dhe Pogradeci janë ndër qytetet që po tërheqin më shumë pushues vendas, duke ofruar një kombinim të traditave, atmosferës festive dhe mikpritjes së ngrohtë. Këto destinacione janë të parapëlqyera nga ata që kërkojnë një përvojë të qetë larg stresit të qyteteve të mëdha.

Artikulli paraprakMJEGULLA “PUSHTON” MBRETËRINË E BASHKUAR, AEROPORTET PËRBALLEN ME VONESA DHE ANULIME
Artikulli tjetërDONALD TRUMP I KËRKON GJYKATËS SË LARTË TË SHTYJË NDALIMIN E TIKTOK PËR TË MUNDËSUAR NJË ‘ZGJIDHJE POLITIKE’