Vllaznia do të luajë në Kategorinë e Parë. Javën e fundit shkodranët shpërthyen në lot dhe në Shkodër është përjetuar keq ky sezon i dështuar që u mbyll. Kishte kohë që kuqeblutë ishin në buzë të humnerës dhe këtë herë ranë.

Kapiteni Gilman Lika, në një intervistë të dhënë për të përditshmet sportive, ka folur hapur dhe ka arsyetuar se pse Vllaznia ra një kategori më poshtë.

Sipas tij përgjegjësinë kryesore e kanë lojtarët dhe stafi, për të kaluar më pas tek të fortët në Shkodër, drejtuesit për fazën përgatitore, por edhe tifozët nuk ngelen pa pjesën e tyre të fajit në këtë dështim.

Sa i përket tifozëve Lika shprehet se “Nuk kanë shumë faj, por kanë përgjegjësitë e tyre. Ata nuk na kanë mbështetur në asnjë ndeshje.

Me përjashtim të ndeshjes me Kamzën që na kanë mbështetur, në të gjitha takimet e tjera edhe kur kanë qenë të pranishëm, më shumë na kanë sharë dhe janë marrë me ne, se sa na kanë mbështetur.

Ne kishin nevojë për ta. Gjithsesi kanë shumë pak përgjegjësi”. Ndërkohë më tej ai shprehet se “Ekipi e ka nisur kampionatin me vetëm një fazë përgatitore, që për mua është skandal.

Kjo është arsyeja që në fazën e parë kemi marrë vetëm pesë pikë. Por kjo nuk është kryesorja”. Sa i përket rënies nga kategoria kapiteni i skuadrës kuqeblu vijon duke u shprehur se “Njerëz shumë të fuqishëm në Shkodër kanë punuar shumë për të rënë Vllaznia.

Nuk e di cili është interesi i tyre, por për këtë jam 100% i bindur. Unë nuk mund të hyj me emra konkretë kur nuk kam faktet në dorë. Por me aq sa e njoh unë futbollin dhe me aq sa kam unë eksperiencë, jam i bindur se ka pasur njerëz në Shkodër që kanë punuar të bjerë Vllaznia.

Nuk e di brenda apo jashtë klubit dhe nuk e di interesin e tyre. Për këtë jam i bindur 100%. Arsyet mund të dalin më vonë”. Gilman Lika duke etiketuar veten dhe gjithë ekipin si fajtor për situatën në të cilën ndodhet skuadra e Vllaznisë duke thënë se “Faji kryesor është i yni dhe i stafit që na ka drejtuar ne.

Nuk ka asnjë lloj justifikimi. Edhe në këtë pjesë ne do të themi se kemi humbur tetë ndeshje, pra 24 pikë nga gafa personale të njërit apo tjetrit. Kjo është e pajustifikueshme. Kush më pak e kush më shumë kemi përgjegjësitë tona.

Pjesa e pagave dihet se kemi pasur tri rroga për të marrë, por nuk e shikojmë si justifikim. Mbërriti momenti që nuk e diskutonim farë këtë punë”.

Artikulli paraprakMARTINI E SHTUBINA, VLLAZNIA TË PRIVATIZOHET
Artikulli tjetërGAFUR MAZREKU “QYTETAR NDERI” I HASIT, REAGON PD: AKT KRIMINAL I RAMËS!