Giorgia Meloni mori zyrtarisht detyrën si kryeministre e Italisë këtë të diel. Rreth orës 10:30, liderja e FdI-së mori zilen nga Mario Draghi dhe buzëqeshi para të gjithëve. Më pas mbajti fjalën për herë të parë para ministrave në Pallatin Chigi në Romë.

“Duhet të jemi bashkë për të përballuar emergjencat me të cilat përballet vendi. Të punojmë si ekip”, ishte mesazhi i Melonit në mbledjen e kabinetit. Pas dorëzimit të pushtetit, Draghi u largua i shoqëruar me duartrokitjet e punëtorëve. Jashtë godinës, kryeministri në largim përshëndeti gazetarët me një buzëqeshje përpara se të hipte në makinë.

Hapi i fundit drejt marrjes së detyrës është të martën, ku qeveria e koalicionit të djathtë, që mori shumicën e votave në zgjedhjet e zhvilluara një muaj më parë pritet që të votëbesohet në Parlamentin e Italisë dhe më pas të nisi menjëherë punën. Për herë të parë Italia ka në krye të qeverisë një grua, e cila do të udhëheq për katër vite qeverinë italiane falë koalicionit me ish-kryeministri Silvio Berlusconi i Forza Italia dhe Matteo Salvini nga Lega. Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër do të jetë euro-politikani Antonio Tajani nga partia konservatore Forza Italia (FI). Ministër i Ekonomisë do të jetë Giancarlo Giorgetti nga partia e së djathtës nacionale Lega. Giorgetti ishte gjithashtu edhe në qeverinë e paraardhësit të Melonit, Mario Draghi. Giorgetti konsiderohet si i moderuar dhe përfaqësues pro europian i Legas. Kryetari i Legas Matteo Salvini do të jetë ministër i Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministër ashtu si edhe Tajani.

Artikulli paraprakSULMET KIBERNETIKE, RAMA VIZITË ZYRTARE NË IZRAEL
Artikulli tjetërCOVID-19 NË VEND, MSH: ASNJË HUMBJE JETE NË 24 ORËT E FUNDIT, 18 TË INFEKTUAR