Egjipt, gjakderdhje në gadishullin e Sinait; rreth 50 të vrarë
Ushtria egjiptiane ka vrarë në një aksion të sajin rreth 40 terroristë islamikë, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit kamikaz që u mori jetën 10 efektivëve dhe plagosi 16 të tjerë. Lajmin e ka bërë të ditur ushtria egjiptiane përmes një njoftimi për shtyp. Efektivët ushtarakë mbetën të vrarë e të lënduar nga një autobombë që shpërtheu në një postobllok në gadishullin e Sinait, shpesh herë i kthyer në skenë atentatesh nga dega egjiptiane e Shtetit Islamik. Gjatë reagimit të saj, ushtria egjiptiane ka sulmuar dy baza të terroristëve në jug të lokalitetit Rafah, ku janë shkatërruar edhe 6 automjete të përdorura nga militantët. Edhe pse bilanci më i rëndë i terroristëve të vrarë në një ditë të vetme llogaritet ai i marsit të vitit të kaluar, me 60 të vrarë, shifra e fundit me 40 është gjithësesi e lartë, pavarësisht se gjakderdhja ka përfshirë gadishullin që prej vitit 2013. Shifrat në përgjithësi janë paraprake, pasi të detajuara nuk jepen kurë nga ushtria dhe rrallë herë publikohen në media.