6 burra të të fisit Ndrevataj dhe Mrishaj nga Tropoja pas vitit 2000 nuk jetojnë më si shkak i gjakmarrjes.
I vetmi mashkull i familjes Ndrevataj që ka mbetur gjallë, nga Tropoja është vendosur në zonën e ish-Fermentimit në Shkodër. Tre prej 5 djemve të tij që kanë mbushur moshën madhore nuk mund të shkojnë në shkollë nga frika se hakmarrja mund të vazhdojë. Njëri prej djemve i cili sapo ka kryer shkollën 9-vjeçare tregon se ëndrrat i janë ndërprerë në mes sepse nuk mund ta kalojë pragun e derës për të shkuar në shkollë. Kreu i misionarëve të pajtimit të gjaqeve, Nikollë Shullani tregon historinë e trishtë të dy familjeve Ndrevataj dhe Mrishaj. Kjo histori e vrasjeve të ndërsjellta mes dy fiseve Ndrevataj dhe Mrishaj ka bërë një jehonë të madhe, histori që fatkeqësisht vijon edhe sot pas 16 vitesh. Burrat dhe djemtë e fisit qëndrojnë të ngujuar duke mos mundur as të punojnë por as të shkollohen për të ndërtuar të ardhmen e tyre.