Presidenca i është përgjigjur ashpër deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili mohoi një ditë më parë masakrën e Reçakut. Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Presidenca shprehet se gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë ndersa i kerkohet faktorit ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajon.
“GJAKU I REÇAKUT NUK BËHET UJË! Ish-zëdhënësat e xhelatit Millosheviç dhe regjimit të tij mizor që tronditi botën me krimet monstruoze nuk mund të guxojnë më të përbuzin dhe të fyejnë viktimat e pafajshme, me deklarata të papërgjegjshme reminishencash naziskine! Faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajonin tonë që i ka ende të freskëta plagët e përgjakshme të luftës.
Krimi mbetet krim! As harrohet, as vjetërohet! Sepse popujt me kujtesë të shkurtër janë të destinuar të mbeten pa histori dhe pa të ardhme! Mirënjohje përjetë ambasadorit Walker për zbulimin dhe denoncimin para gjithë botës së Masakrës së Reçakut! LAVDI TË PËRJETSHME MARTIRËVE TË KOSOVËS!”- shkruan në rrjetet sociale zëdhënësi i Presidentit , Tedi Blushi.
Një ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quajti një trillim masakrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm. Reagimi i tij erdhi pasi Gjykata në Prishtinë e dënoi me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç.
“Është e frikshme. Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë, dhe unë e përsëris tani – krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, një mashtrues si Walker, një mashtrues”, tha Vuçiç një ditë më parë, para gazetarëve.
Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen një ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. 20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar.