Gjashtë vjet burg është dënimi i dhënë për dy shqiptarë nga gjykata e Vibo Valentias në Kalabri, ndërkohë që prokurori kishte kërkuar nga 18 vjet për secilin, ashtu si për një tjetër shqiptar, i cili është shpallur i pafajshëm.

Gjykata kalabreze ka goditur rëndë një numër të madh shtetasish nga vende të ndryshme, kryesisht nga Italia, por edhe nga Shqipëria e Kolumbia, të gjithë të shpallur fajtorë për trafik droge.

Dënimi më i rëndë është dhënë për një italian 65-vjeçar, me 17 vjet e 6 muaj burg; dhe 17 vjet për një tjetër italian, 60 vjeç. Shqiptari 39-vjeçar R. B, rezident në Fiano Romano, është dënuar me 6 vjet burg, pas kërkesës së akuzës për 18 vjet.

I njëjti vendim edhe për 37-vjeçarin E. Z, gjithashtu rezident në Fiano Romano, i dënuar në mungesë. A. G, 39 vjeç, edhe ai banues në të njëjtin qytet pranë Romës, është liruar nga akuzat, ndërkohë që edhe për të prokuroria kërkoi 18 vjet heqje lirie.

Organizata kriminale ku bënin pjesë të dënuarit bënte trafik ndërkombëtar kokaine, të cilën e fusnin në territorin italian nga Amerika Latine.

Artikulli paraprakVRASJA NË VLORË E BIZNESMENIT, DYSHIMET E POLICISË
Artikulli tjetërSEKUESTROHET 210 KG KANABIS E HEROINË PAS ARRESTIMIT TË GREKUT E SHQIPTARIT