Syzet dhe ndjekja e automjetit të prokurorit për disa minuta tradhtuan atentatorët të cilët më 1 nëntor 2019 hapën zjarr në mbikalimin e Shkozetit në drejtim të automjetit në të cilin udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, Landi Muharremi dhe shoferi Andi Maloku.
Nga gjurmët e gishtërinjëve të lëna mbi syze nuk është zbuluar vetëm Rrjedan Rraja por edhe një i njohuri i tij i shpallur në kërkim.
Në bordin e automjetit të braktisur nga atentatorët prokuroria ka mundur të sekuestrojë dy palë syze njëra me gjurmët e gishtërinjëve të Rrajës dhe tjetra me gjurmë tashmë të identifikuara të një tjetër personi në kërkim.
Këto po analizohen së bashku me elementë të tjerë si analiza ADN-je, qeliza telefonike, deklarime, pyetje dëshmitarësh për të provuar skemën e organizimit të atentatit, personat e përfshirë, rolet e tyre dhe ata që shkrepën dy armët automatik.
Një ditë më parë gjykata e krimeve të rënda la në burg dentistin Redjan Rraja si person të dyshuar për përfshirjen në atentat, emrin e të cilit e zbuloi pas analizimit të gjurmëve në syzet në bordin e mjetit AA 342 LM.
Një tjetër provë në duart e hetuesve për zbardhjen e atentatit janë edhe pamjet filmike nga autostrada Durrës-Tiranë ku disa subjekte kanë fiksuar teksa Mercedezi rri nga pas Fuoristradës ku udhëtonte prokurori Ndoja dhe dy të plagosurit e tjerë.
Pista kryesore e hetuesve deri në këto momente është ajo e një ekzekutimi me pagesë nga persona të cilët kanë patur konflikte me prokurorin Ndoja e Ladi Muharremin, ndërsa rezulton se i arrestuari Rraja s’ka një konflikt të dokumentuar me personat e plagosur në atentat.