Gjendet i vetëvarur në qeli terroristi sirian që planifikonte të shpërthente aeroportin e Berlinit
Gjendet i vetëvarur në qelinë e tij të paraburgimit në Lajpcig, terroristi Jaber Al-Bakër. Emigranti sirian u arrestua javën e kaluar në lindje të Lajpcigut, pas informacioneve se ai po planifikonte sulm me bombë në aeroportin e Berlinit. E përditshmja gjermane Bild shkruan se Jabër Al-Bakër ishte vetëvarur me bluzen e tij me mëngë të shkurtra. Por ky fakt ve në pikëpyetje masat e sigurisë në qendrat gjermane të paraburgimit. Ai mbahej 24 orë nën mbikqyrje, pasi prej të hënës kishte hyrë në grevë urie dhe kishte bërë tentativa të tjera vetëvrasjeje. Vetëm 22-vjeç, ai arriti t’i shpëtojë fillimisht policisë gjermane, gjatë operacionit për kapjen e tij. Përpara arrestimit në Lajpcig, policia kontrolloi banesën e tij në Shemnic. Por Al-Bakër kishte mundur të largohej, pasi kishte zbuluar në shtëpi një kamera që agjentët sekretë e kishin vënë për ta monitoruar prej më shumë se një muaji. Në banesë, policia sekuestroi 1.5 kg eksploziv. Policia nisi gjurmimin e tij pasi ishte kallëzuar nga 3 sirianë, të cilët i kishte njohur përmes rrjeteve sociale. Dyshimet ishin se Al-Bakër kishte lidhje me Shtetin Islamik dhe e kishte ëndërr të kryente sulme të përmasave si ai i nëntorit të kaluar në Paris, ku u vranë 130 persona.