Gjendet kufoma e një shqiptari 19-vjeçar në liqen
Personi që është gjetur i vdekur në një liqen të Erbach-ut, është një shqiptar 19 vjeçar. Bëhet fjalë për një person me vendbanim në landin Nordrhein-Westfalen. Policia konsideron se ai është viktimë e dhunës, shkruan Agjencia Gjermane e Lajmeve,DPA. Dëshmitarët, në mbrëmjen e të hënës e kishin zbuluar kufomën në një liqe peshkimi në Erbach dhe e kishin alarmuar policinë, transmeton albinfo.ch. Po atë natë kufoma ishte nxjerrë nga liqeni. Një ekspertizë e bërë të martën ka ardhur në përfundimin se shkak i vdekjes ka qenë dhuna brutale e ushtruar ndaj tij. Për shkakun se procedura është në vazhdim e sipër, policia nuk ka dhënë informata më të detajuara lidhur me mënyrën dhe shtrirjen e lëndimeve që ka pësuar viktima. Sipas njohurive që ka policia, i ndjeri së fundi ka qenë duke banuar në Steinfurt të landit Nordrhein-Westfalen, përcjell albinfo.ch. Nga mesi i prillit ai kishte ardhur me tren në drejtim të Gjermanisë së jugut (Baden Württemberg).